Irani dhe Rusia lidhin me njëri tjetrin sistemet e tyre kombëtare të pagesave
2024-11-12 17:39:24

Foto nga VCG

Irani dhe Rusia lidhën sistemet e tyre kombëtare të pagesave të hënën, një lëvizje e rëndësishme për të anashkaluar dollarin amerikan në transaksionet dypalëshe, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit, IRNA. 

Lidhja midis sistemeve të pagesave Mir të Rusisë dhe Shetab të Iranit u zhvillua në një ceremoni, ku morën pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit, Mohammad-Reza Farzin dhe Ambasadori i Iranit në Moskë, Kazem Jalali. 

Ceremonia zbuloi fazën e parë të projektit, i cili u mundëson iranianëve të përdorin kartat e tyre bankare për të tërhequr para në rubla nga ATM-të ruse. Në fazën e dytë, shtetasit rusë do të mund të tërheqin para në Iran. Faza përfundimtare do tu lejojë iranianëve të blejnë në dyqanet ruse me kartat e tyre bankare, duke përdorur pajisjet e pikave të shitjes, thuhet në raport. 

"Sot ne bëmë një hap të madh drejt de-dollarizimit dhe lehtësimit të marrëdhënieve ekonomike midis Iranit dhe Rusisë," njoftoi agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars, duke cituar komentet e Farzin në ceremoni. 

Katër banka iraniane kanë ofruar këtë shërbim të ri, me më shumë banka që pritet të bashkohen, pasi të zbatohen masat e nevojshme, tha Farzin. 

Irani dhe Rusia, të dyja nën sanksionet e SHBA-së, kanë zgjeruar kohët e fundit marrëdhëniet e tyre politike dhe ekonomike, veçanërisht në sektorin bankar, për të kundërshtuar kufizimet e SHBA. 

Dhjetorin e kaluar, Farzin u takua me homologen e tij ruse Elvira Nabiullina, për të finalizuar një marrëveshje që do të lejonte tregtinë dypalëshe në monedhat e tyre kombëtare dhe jo në dollar.