Buxheti 2025, 3.8 miliardë lekë për MEPJ, më i madhi në historinë e ministrisë
2024-11-12 11:10:46

Foto Gazetaexpress

Projektbuxheti i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për vitin 2025 arrin në shifrat e 3.8 miliardë lekëve. Ai konsiderohet më i madhi në historinë e kësaj ministrie, ndërsa mbështet shërbimin e jashtëm dhe angazhimin në nismat rajonale dhe programet e Bashkimit Europian, shkruan “ATSH”.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, duke folur në Komisionin parlamentar për Çështjet Europiane, tha se projektbuxheti 2025 për këtë ministri mbështet politikat dhe strategjitë kyçe të diplomacisë shqiptare, si dhe përpjekjet për të forcuar diplomacinë ekonomike.

Duke u ndalur te investimet, ministri Hasani theksoi se ato përfshijnë projekte inovative si modernizimin e shërbimit konsullor online dhe sistemin e-Viza, që do të përmirësojnë shërbimet për qytetarët shqiptarë jashtë vendit.

Kryediplomati shqiptar theksoi se për vitin 2025 do të hapen edhe 4 ambasada të reja, në Bosnjë-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia.

Sipas tij, kjo po bëhet në kuadër të forcimit të rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por edhe në avancimin me integrimin në BE.

Lidhur me synimin për integrimin e vendit në BE brenda 2030, ministri Hasani u shpreh se vitin e ardhshëm do të hapen edhe negociatat për 2 grupkapitujt e tjerë.

“Kemi plan të qartë që Shqipëria të realizojë aspiratat europiane”,- tha shefi i diplomcisë shqiptare.