Me zhvillimin e shpejtë të ekonomisë kineze dhe ndryshimet në situatën ekonomike globale, në disa vende perëndimore ka filluar të spekulohet se ekonomia e tregut në Kinë ka hyrë në amulli. Por kjo s’është e vërtetë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz viziton fabrikën e BOSCH-it në qytetin Chongqing, prill 2024, Kinë Jugperëndimore/VCG
Vitet e fundit, Kina ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në përmirësimin e mjedisit të biznesit, të cilat janë njohur gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.
Sipas revistës "CEOWORLD", pjesa kontinentale e Kinës renditet e 34-ta ndër vendet më të mira në botë për të investuar ose për të bërë biznes në vitin 2024. Vlerësimi përfshin 11 tregues kyç, që nga niveli i korrupsionit dhe i lirisë deri në arsyeshmërinë e sistemit tatimor dhe cilësinë e jetesës. Përpjekjet e vazhdueshme të Kinës në këto fusha kanë ofruar një mjedis më të qëndrueshëm, transparent e të parashikueshëm për investitorët dhe sipërmarrësit globalë.
Për sa u përket politikave të brendshme, qeveria kineze po përsos administrimin, po delegon kompetencat, po përmirëson rregulloret dhe po thjeshton procedurat e miratimit, duke ulur koston e nisjes së biznesit të ri, duke përmirësuar mbikëqyrjen e tregut dhe duke e bërë më të lehtë regjistrimin e subjekteve të biznesit. Të dhënat statistikore tregojnë që, në fund të shtatorit të sivjetshëm, në Kinë kishte mbi 180 milionë subjekte ekonomike private, që përbënin 96.37 % të numrit të përgjithshëm të subjekteve të biznesit, shifër kjo 3.93 % më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe katër herë më shumë se para një dekade.
Ndër to, 55.5 milionë ishin ndërmarrje private dhe 125.3 milionë biznese individuale, përkatësisht 6.02 % dhe 3.03 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme. Këto të dhëna demonstrojnë plotësisht përmirësimin e ndjeshëm të mjedisit të biznesit të Kinës, si dhe çlirimin e plotë të gjallërisë së tregut.
Një linjë e montimit të AirBus-it, qytet Tianjin, Kinë Veriore, 2023/VCG
Si një pjesë e rëndësishme e ekonomisë së tregut të Kinës, ekonomia private luan një rol të pazëvendësueshëm në nxitjen e rritjes ekonomike, të punësimit dhe të përmirësimit të strukturës industriale. Kina i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të ekonomisë private dhe ka vazhduar të promovojë mbrojtjen e barabartë të të gjitha llojeve të subjekteve ekonomike sipas ligjit. Tani është lehtësuar më tej regjistrimi i subjekteve ekonomike private, është rritur përpjesëtimi i tyre dhe është çliruar plotësisht gjallëria e tregut.
Për sa i përket strukturës industriale, ekonomia private luan rol kyç për shumë sektorë, si shërbimet dhe prodhimi. Për shembull, në sektorin e shitjes me shumicë dhe pakicë, bizneset private përbëjnë 97.97 %. Si një urë që lidh prodhimin dhe konsumin, përqindja e lartë e bizneseve private në këtë sektor pasqyron gjithashtu gjallërinë e tregut kinez të mallrave.
Për sa i përket hapjes ndaj botës së jashtme, Kina ka anuluar plotësisht listën negative për investimet e huaja në sektorin e prodhimit. Ndërkohë, lista negative për shërbimet është shkurtuar vazhdimisht, duke ofruar kushte më të përshtatshme për hyrjen e investimeve të huaja në tregun kinez. Në të njëjtën kohë, Kina po bën të gjitha përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e pronësisë intelektuale dhe për të hequr pengesat ndaj tregtisë dhe investimeve, duke nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë dhe të investimeve me vendet e tjera. Këto përpjekje jo vetëm rrisin forcën konkurruese të Kinës në ekonominë globale, por edhe japin kontribut të rëndësishëm për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë globale.
Mbrojtja e pronësisë intelektuale është një garanci e rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë së tregut. Kina i kushton rëndësi të madhe asaj dhe po përmirëson sistemin ligjor përkatës, duke forcuar zbatimin e ligjit dhe duke ofruar një garanci të fortë ligjore për të mbrojtur risi.
Kryeekzekutivi i Apple-s, Tim Cook në ceremoninë e hapjes së një dyqani të ri në Shangai, Kinë, mars 2024/VCG
Për të promovuar hapjen e nivelit të lartë, Kina ka nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë dhe të investimeve me vende të tjera, duke krijuar kushte më të përshtatshme për tregtinë dhe investimet. Këto marrëveshje jo vetëm që kanë pakësuar pengesat tarifore dhe jotarifore, por edhe kanë promovuar liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve, duke nxitur rritjen e qëndrueshme të ekonomisë globale.