Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë
2024-11-12 15:49:15

Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

75-vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës ishte në fokus të Konferencës Akademike Ndërkombëtare, që u zhvillua të hënën në Tiranë, organizuar nga Ambasada e Kinës në Shqipëri dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademiku Skënder Gjinushi, në fjalën e hapjes vlerësoi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës si një bilanc që nuk mund të harrohet. Ai u ndal në shkëmbimet akademike dypalëshe, duke theksuar se kjo konferencë duhet të shërbejë për reflektime historike dhe gjetjen e rrugëve të reja për një bashkëpunim të suksesshëm.

Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

“Kjo konferencë do të shërbejë si për reflektime historike mbi marrëdhëniet midis dy vendeve tona, ashtu dhe për  përcaktimin dhe nxitjen e rrugëve më të përshtatshme dhe më të suksesshme  për bashkëpunim të mëtejshëm të brezave të rinj të studiuesve shqiptarë dhe kinezë”,- tha ai.

Konferencën e përshëndeti ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, e cila pasi vuri në dukje rëndësinë e miqësisë dypalëshe theksoi se në epokën e re marrëdhëniet midis dy vendeve kanë mbajtur një vrull të ri zhvillimi. Ajo vlerësoi konferencën akademike, ku profesorë nga të dy vendet ndanë studimet e tyre mbi historinë dhe të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe.

Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

“Bota sot po përballet me një ndryshim të madh që nuk është parë në një shekull. Kina dhe Shqipëria janë në një fazë kritike të zhvillimit të tyre përkatës dhe marrëdhëniet midis dy vendeve po përballen me një nyje të rëndësishme të së shkuarës dhe të ardhmes. Duke parë përpara, ne presim të punojmë me palën shqiptare për të focuar besimin e ndërsjellë politik, për të zgjeruar bashkëpunimin praktik dhe për të promovuar shkëmbimet njerëzore dhe kulturore, në mënyrë që miqësia tradicionale kino-shqiptare të riaktivizohet në epokën e re”,- tha ambasadorja kineze.

Zëvendësministrja për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Megi Fino, vlerësoi ndihmën kineze për Shqipërinë në vitet 60-70-të të shekullit të kaluar dhe u ndal te zhvillimi që kanë shënuar në epokën e re të dy vendet.

Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë (Foto CMG) (6)

Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë (Foto CMG) 

“Ky përvjetor nuk është vetëm një moment kujtese për atë që kemi arritur së bashku, por është dhe një nxitje për të krijuar ura të reja për brezat që vijnë. Ndërsa reflektojmë në këtë përvjetor të marrëdhënieve  midis dy vendeve tona le të shohim drejt së ardhmes me vendosmëri për të thelluar bashkëpunimin, me besimin se me përpjekjet e përbashkëta mund të eksplorojmë plane të reja për të siguruar që marrëdhëniet tona dypalëshe të mbeten largpamëse dhe në përputhje me interesat e përbashkëta në kontekstin e ri historik”,- deklaroi Fino.

Në veprimtari morën pjesë studiues nga Akademia e Shkencave Sociale të Shangait dhe Universiteti i Studimeve të Huaja i Pekinit. Drejtori i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Akademisë së Shkencave Sociale të Shangait (SASS), prof. dr. Wang Jian, i vlerësoi shkëmbimet akademike si mundësi të mëdha për bashkëpunimin e mëtejshëm me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, si dhe nevojën e shtimit të shkëmbimeve me institute kërkimore dhe universitete shqiptare.

Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, Spartak Nano, duke i cilësuar si mjaft të mira marrëdhëniet dypalëshe, shtroi nevojën e shtimit të shkëmbimeve, si një dialog i miqësisë.

Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

Duke trajtuar marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-kineze në 75-vjetorin e tyre, prof. dr. Ksenofon Krisafi, akademik, shtjelloi në konferencë studimin e përbashkët me dr. Kejsi Riso “Protagonizmi diplomatik i Shqipërisë në rivendosjen e të drejtave të ligjshme të RP të Kinës në OKB”.

Një kërkim në dokumentet historike të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë me të dhëna interesante jo vetëm për studiuesit, por dhe publikun e gjerë prezantoi prof. asoc. dr. Gjon Boriçi.

Ndërsa publicisti Gëzim Podgorica, nënkryetar i Këshillit Drejtues të RTSH-së, në kumtesën “Kina, një gravitet i epokës së re”, u ndal te ridimensionimi i komunikimit mbi bazën  miqësisë dhe partneritetit.

Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

Konferencë Akademike Ndërkombëtare për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

“75-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve është një moment që frymëzon ridimensionimin e komunikimit mbi bazën e miqësisë dhe partneritet në dobi të të dy vendeve tona, duke respektuar pozicionet respektive në konfigurimin gjeopolitik dhe orientimet e përcaktuara, të cilat mbeten pjesë e qasjes dhe interesave të secilit vend”,- tha ai.

Drejtori i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prof. dr. Hamit Kaba, një nga referuesit në konferencë nënvizon rëndësinë e shkëmbimeve akademike mes dy vendeve.

“Besoj se Shqipëria në këtë drejtim është disi mbrapa krahasuar me vendet e Europës Lindore dhe vendet e Ballkanit. Në një të ardhme mendoj se Akademia e Shkencave do të ecë në këtë drejtim. Shqipëria ka aleatët e vet të mëdhenj, ka objektiva dhe strategjinë e saj, por është një vend i vogël që luan një rol në mënyrën më të mirë të mundshme”,- tha ai.

Zëvendësdrejtorja e Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Shangait pranë Akademisë së Shkencave Sociale, prof. Dai Yichen, në kumtesën e saj u ndal te marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës në kornizën e Mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

“Kina ka shumë ndërmarrje të zhvilluara në fushën e inteligjencës artificiale, infrastrukturës dhe turizmit. Sipas iniciativës së kryeministrit shqiptar se Shqipëria ka nevojë për bashkëpunim në këto fusha mendoj se Kina mund të ofrojë bashkëpunimin e saj në këtë drejtim”,- tha ajo.

Me interes ndoqën të pranishmit kumtesën e pedagoges së departamentit të gjuhës shqipe pranë Univesitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, Ma Sai, me temë “Receptimi i letërsisë bashkëkohore shqiptare në Kinë”. Ajo bëri të ditur se autorët bashkëkohorë shqiptarë Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Diana Çuli, Ben Blushi e të tjerë të përkthyer në kinezisht janë mirëpritur nga lexuesit kinezë.

Në seancën e dytë të konferencës sinologu shqiptar Iljaz Spahiu, drejtues i Shoqatës Kulturore “Alb-China” foli për disa nisma shkencore-albanologjike në Kinë.

Ndërsa drejtori i Institutit Konfuci të Universitetit të Tiranës, Zheng Baoguo, prezantoi kumtesën “E shkuara dhe e tashmja e mësimdhënies së gjuhës kineze në Shqipëri”.

Konferenca Akademike Ndërkombëtare pason veprimtaritë me rastin e 75-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës që janë zhvilluar që nga janari i këtij viti, të organizuara nga Ambasada e Kinës në Shqipëri. (Eda Merepeza)