Kremlini mohon bisedën Putin-Trump
2024-11-12 11:44:09

Foto nga VCG

Kremlini mohoi të hënën të ketë pasur një bisedë telefonike midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, shkruan “RTSH”.

“Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Ky është një trillim i pastër, është thjesht informacion i rremë”,- u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, duke theksuar se mes dy liderëve nuk ka pasur asnjë bisedë telefonike.

“Ky është shembulli më i dukshëm i cilësisë së informacionit që po publikohet tani, ndonjëherë edhe në gazeta me reputacion të lartë”,- tha Peskov.

I pyetur nëse presidenti Putin kishte plane për ndonjë kontakt me Trump, zëdhënësi i Kremlinit u shpreh se nuk ka ndonjë plan konkret.

Gazeta amerikane “Washington Post”, duke cituar burime të paidentifikuara, raportoi të dielën se Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Putin më 7 nëntor, një ditë pasi kishte biseduar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke i kërkuar kreut të shtetit rus që mos ta përshkallëzojë konfliktin në Ukrainë.

Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, republikani Trump deklaroi se nëse do të zgjidhej president i SHBA-së ai do t’i jepte fund shumë shpejt konfliktit në Ukrainë, ndërsa ka kritikuar vazhdimisht ndihmën financiare dhe ushtarake që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës që nga nisja e konfliktit të armatosur në shkurt të vitit 2022.