< img height="1" width="1" style="display:none"src="https://www.facebook.com/tr?id=514174860241230&ev=PageView&noscript=1"/>
Projektbuxheti i Shtetit për 2025- bazë për rritjen ekonomike të vendit
2024-11-12 11:54:22

Projekt buxheti 2025 (Foto Gazeta Si)

Projekt buxheti 2025 (Foto Gazeta Si)

Projektligji i buxhetit të vitit 2025 që qeveria ka kaluar në Parlament për shqyrtim përmbush dy objektiva themelorë. Objektivi i parë themelor është vijimi i rritjes ekonomike të qëndrueshme, e cila krijon punësim, zhvillim dhe rritje të mirëqënies për qytetarët. Objektivi i dytë është konsolidimi fiskal, me qëllim uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e të gjithë treguesve makroekonomikë dhe fiskalë në nivele pozitive.

Ky projektbuxhet reflekton një periudhë të mirë ekonomike që po kalojmë gjatë këtij viti. Produkti i Brendshëm Bruto  i vendit ose prodhimi kombëtar u shtua me 3.9 përqind në tremujorin e parë janar-mars 2024 dhe me 4.1 përqind në tremujorin e dytë prill-qershor 2024. Rritja ekonomike e këtyre 10 muajve të parë të vitit 2024 u bazua në shtimin e aktivitetit të ndërtimit dhe të turizmit, por edhe nga rritja e investimeve themelore dhe e konsumit të qytetarëve.

Edhe pse eksportet e mallrave si nëntëmujor janar-shtator 2024 u ulën me 3.2 përqind në krahasim me janar-nëntor 2023, si pasojë e çmimeve në rënie në tregjet ndërkombëtare dhe mbiçmimit të lekut, sektori i eksporteve të shërbimeve dhe kryesisht turizmi, kanë pësuar rritje dyshifrore.

Tregu i punës u karakterizua nga zhvillime pozitive, si shtimi i punësimit, rënia e numrit të të papunëve të regjistruar dhe rritja e nivelit të pagave si në shtet dhe në privat. Norma e inflacionit në vendin tonë mbeti vazhdimisht në nivele më të ulta se ajo e vendeve të tjera të rajonit, si dhe mesatarja e BE-së. Nga një mesatare prej 6.7% në vitin 2022, inflacioni mesatar në Shqipëri  ra në 4.8% në vitin 2023 dhe më tej, duke u përgjysmuar, me një mesatare 2.3% për nëntë muajt janar-shtator të këtij viti.

Raporti i borxhit publik ndaj prodhimit kombëtar u ul ndjeshëm me 6.6 përqind, krahasuar me vitin 2022, duke arritur në 57.5 përqind, ose niveli më i ulët i borxhit që nga viti 2008.

Projektbuxheti i Shtetit per vitin 2025 synon të realizojë plotësisht objektivin parësor të politikës fiskale, atë të pakësimit të borxhit publik si raport ndaj Produktit të Brendshëm Bruto të vendit, duke shënjestruar një nivel borxhi prej 55.8 përqind të prodhimit kombëtar, nga 56.3 përqind niveli i pritshëm për këtë vit.

Ministri Petrit Malaj në Kuvendin e Shqipërisë (Foto Shqiptarja.com)

Ministri Petrit Malaj në Kuvendin e Shqipërisë (Foto Shqiptarja.com)

Projektbuxheti për vitin 2025 parashikon një rritje ekonomike prej 3.9 përqind. Kjo rritje do të vijë nga shtimi i konsumit dhe nga investimet totale në ekonomi. Në rritjen tonë ekonomikë do të vijojë të kontribuojë bindshëm sektori i turizmit.

Projektbuxheti i parashikon të ardhurat buxhetore për vitin 2025 në masën 7.5 miliardë euro ose 410 milionë euro më tepër se viti 2024.

Të ardhurat tatimore 2025  prej 7.1 miliarde euro, në krahasim me vitin 2024, parashikohen të rriten me  0.8 perqind të prodhimit kombëtar më shumë. Ky programim i të ardhurave tatimore mbështet objektivat e Qeverisë për rritjen e të ardhurave, me qëllim mbështetjen e shpenzimeve publike për arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale, dixhitalizimin e shërbimeve publike, investimeve në infrastrukturë, bujqësi, energji dhe drejtime të tjera, të cilat gjenerojnë zhvillim, duke rritur konsumin dhe investimet.

Ministria e Financave është në fazën e finalizimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planin e saj të Veprimit për periudhën 2024-2027. Miratimi i kësaj strategjie është programuar të bëhet brenda muajit Dhjetor 2024 dhe përbën një parakusht që Shqipëria duhet ta plotësojë, në kuadër të dokumentit të politikës “Agjenda Kombëtare e Reformave 2024-2027” me Bashkimin Evropian.

Në projektbuxhetin e vitit 2025 janë parashikuar të shpenzohen 8.2 miliardë euro ose 510 milione euro me shume shpenzime se Buxheti i vitit 2024.

Shpenzimet buxhetore për këtë vit do të financojnë me përparësi projektet e Planit të Rritjes së Bashkimit Europian  për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike dhe sociale të vendit tonë me vendet e BE-së.

Skema e mbështetjes së fermerëve do të marrë 4.3 miliardë lekë ose 43 milionë euro në vitin 2025.

Për indeksimin e pensioneve janë parashikuar 1.6 miliardë lekë dhe 3.75 miliardë lekë për shpërblimin e fundvitit për pensionistët, në total 54 milionë euro më shumë.

Ministri i financave Petrit Malaj (Foto Balkanweb.com)

Ministri i financave Petrit Malaj (Foto Balkanweb.com)

Investimet Publike për vitin 2025 janë planifikuar në masën 1.6 miliardë euro, niveli më i lartë i deritanishëm, duke përfshirë edhe fondin e rindërtimit në shumën 50 milione euro dhe 4.5 miliardë lekë financime të Buxhetit te Shtetit për projektet nga Plani i Rritjes me BE-në. Investime publike për vitin e ardhshëm do të kemi 110 milionë euro më shumë se ky vit.

Arsimi publik në Projektbuxhet merr 94 milionë euro më shumë se viti 2024. Shpenzimet totale të sektorit do të jenë 853 milionë euro. Krahasuar me rajonin, shpenzimet e vendit tonë për këtë sektor, në raport me shpenzimet totale buxhetore janë 10.1 përqind, ose më të larta se Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi. Në arsimin publik do të financohet me përparësi ofrimi i teksteve shkollore falas për rreth 240 mijë nxënës që ndjekin arsimin bazë, nga klasa e parë në klasën e nëntë, si dhe tekste shkollore falas për rreth 16 mijë nxënës nga shtresa sociale në nevojë, në arsimin e mesëm të lartë.

Shpenzimet e sektorit të shëndetësisë për vitin 2025 planifikohen të jenë në masën 763 milionë euro, ose 40 milionë euro më shumë se viti 2024.  Buxheti i Shtetit 2025  do të realizojë mbështetjen e mbi 400 mijë qytetarëve në përgjigje të trajtimit të sëmundjeve kronike dhe impaktit post-Covid, për rimbursimin e barnave falas.

Do të vijojnë me intensitet në rritje Programet e Kontrollit Mjekësor Bazë për qytetarët 35-70 vjeç, nga të cilat do të përfitojnë analiza dhe kontrolle periodike falas mbi 492 mijë qytetarë në vit. Do te vijojne edhe programet e mbrojtjes së shëndetit publik, nëpërmjet programit kombëtar të vaksinimit anticovid, vaksinimit ndaj gripit dhe programit të plotë të imunizimit të fëmijëve, nga ku përfitojnë mbi 190 mijë fëmijë dhe 250 mijë qytetarë.

Shpenzimet për mbrojtjen sociale për vitin 2025 parashikohen të jenë 2.5 miliarde euro. Krahasuar me rajonin, shpenzimet e vendit tonë për mbrojtjen sociale, në raport me shpenzimet totale buxhetore në vitin 2023, janë 30.7 përqind, pra gati sa një e treta e buxhetit, ose më të larta se Serbia, Mali i Zi dhe Kosova.

Projektbuxheti 2025 garanton rritjen e qëndrueshme të mburojës sociale për shtresat në nevojë, me fokus tek fëmijët, nënat më shumë fëmijë, të moshuarit dhe familjet.

Fatos Çoçoli

Lajmet Kryesore

Our Privacy Statement & Cookie Policy

By continuing to browse our site you agree to our use of cookies, revised Privacy Policy. You can change your cookie settings through your browser.
I agree