Ministri Gonxhja: Sitet kulturore pritën më shumë se 1.2 milionë vizitorë në 10 muaj
2024-11-12 10:48:59

 Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se sitet kulturore kanë mirëpritur 1.229.195 vizitorë gjatë periudhës janar-tetor, shkruan “ATSH”.

Ndërsa ndau statistikat sa i përket këtij 10-mujori, ai tha se krahasuar me një vit më parë ka një rritje prej 34%, ku 61% e vizitorëve janë turistë të huaj.

Pesë destinacionet më të preferuara prej vizitorëve janë Kalaja e Gjirokastrës, Parku Arkeologjik i Butrintit, Muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë, Parku Arkeologjik në Shkodër dhe Parku Arkeologjik i Apolonisë në Fier.

“Shpirti i Shqipërisë është i gjallë në këto monumente, ku historia takohet me të tashmen dhe përcillet ndër vizitorët dhe brezat e të ardhmes”,- shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale.