Pavioni i Kinës hapet në COP29 në Baku
2024-11-12 17:27:47

Foto nga VCG

Të hënën në Baku të Azerbajxhanit u hap pavioni i Kinës në Sesionin e 29-të të Konferencës së Palëve, në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, ose ndryshe COP29. 

Pavioni do të mirëpresë 10 ditë tematike me aktivitete të ndryshme gjatë eventit, i cili planifikohet të zgjasë nga 11 deri më 22 nëntor. 

Duke folur gjatë hapjes së pavionit, Zhao Yingmin, kreu i delegacionit kinez në COP29 dhe zëvendësministër i Ekologjisë dhe Mjedisit, tha se vitet e fundit Kina është bërë një pjesëmarrëse thelbësore, kontribuuese dhe udhëheqëse në ndërtimin e qytetërimit ekologjik global. 

Kina është e gatshme të punojë me komunitetin ndërkombëtar, për të forcuar besimin e ndërsjellë politik, për të praktikuar multilateralizmin, për të përmirësuar bashkëpunimin global dhe për të ndërtuar një botë të begatë, të pastër dhe të bukur, shtoi ai. 

Liu Zhenmin, i dërguari i posaçëm për ndryshimet klimatike, tha se Kina gjithmonë i ka dhënë përparësi adresimit të ndryshimeve klimatike dhe e sheh atë si një strategji kombëtare vendimtare. Zhvillimi me karbon të ulët, është një pjesë jetike e ndërtimit të një Kine të bukur, tha ai. 

Foto nga VCG

Përkushtimi i Kinës për të promovuar zhvillimin e gjelbër dhe me karbon të ulët, ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme, duke fituar njohje të gjerë ndërkombëtare, shtoi ai. 

Liu shprehu optimizmin se COP29 do të rrisë besimin brenda komunitetit global, duke theksuar rëndësinë e parimit të përgjegjësive të përbashkëta por të diferencuara si edhe zbatimin me zell të marrëveshjeve ligjore. 

Ai u kërkoi vendeve të zhvilluara të përmbushin angazhimet e tyre, duke ofruar mbështetje financiare për të ndihmuar vendet në zhvillim që të rrisin kapacitetet në përgjigje të sfidave klimatike. 

Foto nga VCG

Kina është e gatshme të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të mbështetur multilateralizmin, për të siguruar drejtësi në qeverisjen e klimës, për të respektuar rregullat e tregut dhe lirinë e tregtisë dhe për të kontribuuar në suksesin e COP29, që të ofrojë stabilitet dhe siguri më të madhe në qeverisjen globale të klimës, vuri në dukje Liu.