Kitaristja Silvana Gjegjaj nga Durrësi ka studiuar për kitarë në shkollën artistike "Jan Kukuzeli", ndërsa studimet e larta i ka kryer në "Universitetin e Arteve" në Tiranë, të dyja ciklet bachelor 2018-2021 dhe master 2021-2023 me orientim në "Kitarë dhe mësuesi". Ajo luan në instrumentin e kitarës dhe të mandolinës si instrument sekondar. Silvana ka punuar në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës dhe sapo ka nisur detyrën e re pranë shkollës së mesme “Jan Kukuzeli” si mësuese kitare. Ajo ka përgatitur koncerte si mësimdhënëse për nxënësit që luajnë në kitarë për shkollën "Jan Kuluzeli" me koncert ‘Guitar festival IX’, në Qendrën kulturore “A. Moisiu” Durrës 2023.
Silvana është fituese e disa çmimeve në qytetin e Durrësit si: “Guitar festival lll”, "Metropol Center" dhe “Guitar festival VII”. Ka qenë e ftuar në aktivitete e koncerte të rëndësishme realizuar nga Bashkia Durrës, si në “25 vjetorin e kitares”, “Freedom”, “Ave Maria” ku ka shoqëruar me kitare këngëtaren Eranda Libohova. Ajo ka marrë mësime masterclass nga kitaristë klasikë spanjollë, masteclass me kitariste jazz nga Italia, etj. Në intervistë për Radio Ejani, ajo tregon për fillimet e saj në muzikë dhe vijimësinë e saj artistike.

Kitariste Silvana Gjegjaj (Foto personale))
CMG: Je një artiste e re me plane për të ardhmen. Si ka nisur dashuria për kitarën dhe në çfarë moshe nise të luaje?
Silvana Gjegjaj: Dashuria për muzikën lindi nga një ëndërr e lënë në mes nga mamaja ime, e cila që në moshë të re këndonte dhe luante në fizarmonikë, gjë e cila u finalizua tek unë në instrumentin e kitarës, duke u bërë pasioni im më i madh. Duke qenë artdashëse e muzikës klasike, sot mamaja është një kritike e vërtetë , gjej rastin të falenderoj dy prindërit e mi të palodhur.
Pak me vonesë, në moshën 15 vjeçare nisa studimet në shkollën artistike "Jan Kukuzeli" në Durrës në instrumentin e kitares për katër vite rradhazi, e më pas në Universitetin e Arteve në Tiranë. Përfundova me sukses dy ciklet për Bachelor dhe Master për kitarë e mësuesi.

Silvana Gjegjaj (Foto personale)
CMG: Përveç kitares luan edhe në mandolinë. Çfarë kanë të veçantë këto dy instrumenta?
Silvana Gjegjaj: Në pamjen e parë ngjasojnë me kitaren. Mandolina është një instrument i vogël, por ka një tipar dallues, duke patur 4 korse telash të sintonizuar në unison, më pëlqen të degëzoj mes dy instrumenteve, të kitarës dhe mandolinën.
CMG: Ke marrë pjesë në disa edicione të "Guitar Festival" ku je ndarë shpeshherë me çmime. Na trego për këto pjesëmarrje
Silvana Gjegjaj: Interpretimet që kam patur në skenë me muzikën klasike janë një eksperiencë për mua për të sfiduar veten. Janë ngjarje shumë të rëndësishme duke luajtur shumë vepra të kompozitorëve me karateristikë dhe ndjesi të ndryshme, ku më pas finalizohet me çmime. Është vërtetë emocion i veçantë kur vlerësohesh. Këtu do thoja një shprehje shumë të bukur të Niçes "Jeta pa muzikë është gabim i madh".
CMG: Ke marrë pjesë edhe në koncerte e festivale të ndryshme ku ke shoqëruar në kitarë emra të njohur të muzikës.

Silvana Gjegjaj në kitare (Foto personale)
Silvana Gjegjaj: Është e vërtetë dhe është emocion shumë i bukur, përgjegjësi por dhe një motivim për ne brezin e ri.
CMG: Ti u jep mësim fëmijëve instrumentin e kitarës. Si është për ty mësimdhënia?
Silvana Gjegjaj: Kjo është një pyetje shumë e bukur. Mësimdhënia për mua është art dhe të tillë e bën mësuesi me në qendër nxënësin. Eshtë shumë e rëndësishme sepse kohën më të madhe e kalon me ta. Është thelbësore si mësimdhënësi dhe nxënësi të fitojë besimin në aspektin e ndërsjelltë. Qasja ime është të përdor metodat e duhura për të nxitur nxënësin që mësimi të jetë sa më efikas. Marrëdhënia nxënës –mësues është shumë delicate, por shumë e bukur e nuk di të lodhem. Një këshillë që më thotë gjithmonë mamaja ime rreth mësimdhënies është "Të jem gjithmonë humane dhe e duruar me nxënësit" .
CMG: Ke qenë pjesë e QKF-së në Durrës. Cilat janë angazhimet pranë kësaj qendre?
Silvana Gjegjaj: Në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës angazhimet e mia kanë qenë si mësimdhënëse e fëmijë të vegjël, por edhe e grupmoshave të ndryshme. Ndërsa tani kam nisur mësimin në Liceun Artistik “Jan Kukuzeli” në Durrës edhe për nxënësit e shkollës së mesme, ku jap mësim në instrumentin e kitares.

Silvana Gjegjaj në koncert (Foto personale)
CMG: Më shumë emocion është kur interpreton personalisht në një koncert, apo kur dalin në skenë fëmijët që u ke dhënë mësim dhe luajnë në kitarë në skena të ndryshme?
Silvana Gjegjaj: Kur përgatisja nxënësit për koncerte gjithmonë mendoja për fillimet e mia dhe emocionin e fortë që kisha. Padyshim është tjetër ndjesi dhe emocion teksa sheh nxënësin që interpreton në skenë. Fëmijëve u them gjithmonë "skena është magji dhe bëhuni një me të".
CMG: Sa të rëndësishme janë Masterclassat për një artist të ri?
Silvana Gjegjaj: Gjatë viteve akademike kemi zhvilluar shumë master klase me kitaristë të huaj, spanjollë dhe italianë, por është një eksperiencë ndryshe kur merr metoda të reja për zhvillimin artistik.

Silvana Gjegjaj në koncertin Ave Maria me Eranda Libohoven (Foto personale)
CMG: Cilat janë planet tuaja në vazhdim?
Silvana Gjegjaj: Planet momentale dhe fokusi aktual është tek mësimdhënia, koncertet dhe festivalet artistike.
CMG: Si dhe ku e sheh veten pas një dekade?
Silvana Gjegjaj: Pas një dekade dua ta shoh vetën si një artiste më e realizuar dhe më virtuoze.
Intervistoi: Sava Lena
