Prezantohen 320 mësues koordinatorë, ministrja Manastirliu: Rol kyç në rritjen e cilësisë në arsim
2024-11-10 16:09:13

Ministrja e Arsimit (Foto Panorama)

Ministrja e Arsimit (Foto Panorama)

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka prezantuar 320 mësuesit e përzgjedhur si Koordinatorë të Sigurisë së Cilësisë në shkolla, për të forcuar cilësinë e mësimdhënies dhe për të mbështetur zhvillimin profesional të mësuesve. Gjatë prezantimit të mësuesve koordinatorë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, shpjegoi rëndësinë dhe detyrat që do të ketë mësuesi koordinator i sigurisë së cilësisë në shkollë, bën të ditur “ATSH”.

“Mësuesi në rolin e koordinatorit për sigurimin e cilësisë do të jetë përgjatë gjithë orëve të mësimit i angazhuar sipas një plani ditor, javor dhe mujor për të kryer vlerësime të brendshme të mësuesve sipas departamenteve dhe lëndëve, duke përdorur instrumente vlerësimi të unifikuara”,- tha ministrja Manastirliu.

Sipas saj, ky vlerësim do të realizohet përmes metodave të ndryshme, si biseda ballë për ballë me mësuesit për sfidat dhe teknikat e reja të mësimdhënies.

“Përmes këtij roli do të krijohet edhe një rrjet mësuesish që do të mbështesin dhe ndihmojnë mësuesit e rinj. Ky proces bazohet në një plan 3-vjeçar trajnimesh”,- tha Manastirliu, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes mësuesve për të përmirësuar metodologjinë e mësimdhënies.

Ministrja shpjegoi se është në proces edhe modernizimi i kurrikulës shkollore për t’iu përshtatur standardeve të reja dhe për të rritur efektivitetin në mësimdhënie.