Meloni (Foto Oranews)
Protokolli i bashkëpunimit për çështjen e emigracionit mes Italisë dhe Shqipërisë ishte në qendër të diskutimeve në takimin e Komunitetit Politik Europian në Budapest, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
“Vazhdon të ketë një interes të jashtëzakonshëm, një vëmendje që unë e konsideroj absolutisht pozitive”,- tha Meloni për gazetarët në Budapest.
“Gjithashtu, pati një kureshtje për sa u përket shteteve të sigurta. Ajo që ndodh në Itali me emigracionin e paligjshëm prek edhe shtetet e tjera. Kishte shqetësim për faktin se si mundet që qeveritë nuk lejohen të vendosin vetë se cili shtet është i sigurt, duke e rrezikuar realisht këtë koncept”,- theksoi kryeministrja italiane, citon “RTSH”.
“Kjo kompromenton çdo përpjekje për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Për këtë pata solidaritetin e tyre”,- shtoi Meloni.
Gjyqësori italian ka sfiduar autoritetin e qeverisë për të dëbuar emigrantët e paligjshëm në vendet e përcaktuara si të sigurta, një qëndrim që Meloni e kritikoi, duke deklaruar: “Sipas gjykatave italiane, nuk ka asnjë vend të sigurt në botë, duke çuar në një rritje të pakontrolluar të emigracionit”.