Ministri Mazniku: Buxheti 2025, rritje me 9.3% për pushtetin vendor
2024-11-10 20:20:56

Ministri Mazniku (Foto Atsh)

Ministri Mazniku (Foto Atsh)

Në mbledhjen e Këshillit Konsultativ mes qeverisë dhe pushtetit vendor, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, deklaroi se pushteti vendor do të ketë një buxhet 9.3% më të madh në vitin 2025, se ai i këtij viti, duke qenë proporcional te të gjitha bashkitë e vendit.

“Buxheti vendor total ka një rritje prej 9.3% krahasuar me një vit më parë, që është një rritje më të madhe edhe se rritja ekonomike, edhe se rritja totale e të ardhurave të buxhetit, që do të thotë për qeverinë dhe për mënyrën se si është alokuar buxheti, pushteti vendor është trajtuar si një prioritet”, deklaroi ministri Mazniku, citon “ATSH”.

Një portofol i rëndësishëm janë edhe të ardhurat që mbledh vetë pushteti vendor, të cilat, sipas ministrit Mazniku, kanë qenë 11.7 % më shumë.

“Jemi të vendosur në përkushtimin tonë për më shumë shërbime cilësore e dinjitoze ndaj çdo qytetari në çdo cep të vendit, Buxheti 2025 do të mbështesë fuqizimin e pushtetit vendor në këtë drejtim duke rritur së pari, transfertën e pakushtëzuar për bashkitë me plus 17.1%”,- u shpreh Mazniku.

Sipas tij, performanca pozitive e bashkive në mbledhjen e të ardhurave i bashkohet sërish mbështetja e qeverisë duke rritur më tej edhe fondin kushtuar pushtetit vendor për vitin që vjen në mënyrë që rritja e pagave për profesionistët edhe në nivel bashkie të mos cenojë kurrsesi sasinë e cilësinë e investimeve që qytetarët presin nga qeverisja vendore.

“Buxheti 2025 mbështet secilën prej 61 bashkive për më shumë punë të mira në komunitetet tona dhe shërbime të standardeve më të larta për të gjithë qytetarët shqiptarë”,- tha ai.