Shenzhen i Kinës u vlerësua si “Qyteti i zgjuar 2024” në ekspozitën e Barcelonës
2024-11-10 20:26:59

Foto nga VCG

Shenzhen/Foto nga VCG

Shenzhen, një qytet në lulëzim dhe qendër kryesore teknologjike në Kinën jugore, është vlerësuar si “Qyteti i zgjuar” për vitin 2024, në një ekspozitë ndërkombëtare të zhvilluar në Barcelonë të Spanjës.

Kongresi Botëror i “Smart City Expo”, kushtuar përmirësimit të cilësisë së jetës urbane në nivel global, nderoi Shenzhenin për përparimet e tij në transformimin dixhital, zhvillimin e qëndrueshëm dhe menaxhimin inovativ urban, shkruan “China Daily”.

Dikur një qytezë e vogël peshkimi, Shenzheni është shndërruar gjatë 40 viteve të fundit në një metropol modern ndërkombëtar. Me një popullsi prej 17.66 milionë banorësh, qyteti njihet globalisht si një lider në përdorimin e teknologjisë për të përmirësuar shërbimet publike dhe menaxhimin urban. Nismat e saj i japin përparësi dixhitalizimit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme, duke vendosur një pikë referimi për zhvillimin e qytetit të zgjuar në mbarë botën.

“Smart City Expo” tërhoqi mbi 1100 ekspozues dhe 600 ekspertë nga e gjithë bota, duke u fokusuar në strategjitë dhe zgjidhjet për t'i bërë qytetet më të qëndrueshme, efikase dhe të jetueshme.

Temat kryesore përfshinin lëvizshmërinë, shërbimet publike, energjinë, shërbimet komunale dhe angazhimin e qytetarëve.

Ekspozita shfaqi teknologjitë më të avancuara, duke përfshirë inteligjencën artificiale, robotikën, realitetin virtual, sensorët dhe automjetet autonome, të gjitha të dizajnuara për të përmirësuar jetën urbane.

Sipas drejtorit të eventit, Ugo Valenti, mbi 25.000 pjesëmarrës nga 850 qytete në mbarë botën morën pjesë në ekspozitë.

“Ata erdhën për të mësuar, shkëmbyer ide, për të bërë biznes dhe për të ndërtuar rrjete që do t'i ndihmojnë të transformojnë qytetet e tyre. Është frymëzuese të shohësh se si po kontribuojmë për një botë më të mirë”,- tha Valenti.

Mbi 50 kompani kineze morën pjesë në ekspozitë, me Këshillin e Kinës për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare (CCPIT) me një pavijon që prezantoi 28 kompani.