
Gripi i shpendeve (Foto Gazetashqip)
Ministria e Bujqësisë informon publikun se nuk ka dyshime dhe rikonfirmime të reja për influencën aviare në Shqipëri ose siç quhet ndryshe gripi i shpendëve.
Në harkun javor 30 tetor-7 nëntor 2024, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka vijuar monitorimin për të kontrolluar dhe inventarizuar 3935 ferma shpendësh të madhësive të ndryshme.
“Nga kontrolli fizik i shpendëve në këto ferma, gjendja shëndetësore është paraqitur pa shqetësime lidhur me kuadrin klinik të influencës aviare”,- thuhet në njoftimin për shtyp, cituar nga “RTSH”.
Për gjurmim të hershëm dhe kufizim të përhapjes së sëmundjes janë marrë 209 mostra për analizim.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon se ka vijuar monitorimet për të gjithë qarkun Tiranë, ku nuk janë konstatuar probleme me tregtimin e produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe specifikisht nga shpendët.
Kontrolli është ushtruar në 22 subjekte tregtare të vezëve, mishit të pulës dhe restorante.
MBZHR-ja u bën thirrje qytetarëve të konsumojnë produkte të certifikuara dhe kontrolluara nga autoritetet përkatëse.
