Çfarë fshihet pas dy akteve të Manilës për Detin e Kinës Jugore?
2024-11-10 17:36:19

Duke mos përfillur kundërshtimin e palës kineze, Filipinet kanë miratuar të ashtuquajturit "Akti i zonave detare" dhe "Akti i rrugëve detare arkipelagore", një lëvizje që shihet si përpjekje e njëanshme për të komplikuar situatën në Detin e Kinës Jugore.

Ministria e Jashtme kineze tha të premten që kishte thirrur ambasadorin e Filipineve në Kinë për t’i paraqitur protestë serioze, pasi presidenti filipinas Ferdinand Marcos Jr nënshkroi në ligj dy aktet po atë ditë.

VCG

Një fotografi në dosje të Detit të Kinës Jugore/Foto nga VCG

Duke përfshirë në mënyrë të paligjshme në zonat detare të Filipineve ishullin Huangyan dhe shumicën e ishujve dhe shkëmbinjve nënujorë të Nansha Qundao-s të Kinës, si edhe ujërat e tyre përkatëse, i ashtuquajturi "Akti i zonave detare" shkel rëndë sovranitetin territorial dhe të drejtat dhe interesat detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning.

Mao e bëri të qartë se pjesë të ndryshme të "Aktit të rrugëve detare arkipelagore" të Filipineve nuk janë në përputhje me rregullat dhe normat e së drejtës ndërkombëtare dhe ligjet e rezolutat e Organizatës Ndërkombëtare Detare.

Analistët besojnë se masa e fundit e Manilës mund të ngushtojë hapësirën për dialog e konsultime për çështjen e Detit të Kinës Jugore midis Kinës e Filipineve, të ushtrojë presion mbi administratën e ardhshme të ShBA-së për të ruajtur mbështetjen e saj dhe të prishë lundrimin normal detar të vendeve fqinje.

Lëvizja e fundit e Filipineve do të ngushtojë më tej hapësirën politike për Manilën e Pekinin për të menaxhuar krizat dhe për të trajtuar siç duhet mosmarrëveshjet mbi çështjen e Detit të Kinës Jugore, tha për CGTN-in zëvendësdrejtori i Qendrës Kërkimore të Ligjit dhe Politikave Oqeanike në Institutin Kombëtar për Studimet e Detit të Kinës Jugore Ding Duo.

Kjo nuk është një lëvizje e veçuar, por një projekt specifik i politikës provokuese për Detin e Kinës Jugore që aktualisht ndiqet nga qeveria filipinase në nivelet ligjore dhe njohëse, theksoi ai.

Duke i kthyer në ligj dy aktet, Filipinet po forcojnë pretendimet e tyre të paligjshme nëpërmjet legjislacionit të tyre të brendshëm, që është barazi me mohimin e njëanshëm prej Manilës të ekzistencës së mosmarrëveshjeve mbi sovranitetin territorial dhe juridiksionin detar me Kinën, sipas një komenti nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG) të shtunën.

Kjo sjell pengesa ndaj konsultimeve dypalëshe për çështjen e Detit të Kinës Jugore midis Pekinit dhe Manilës dhe ngushton hapësirën për dialog e bashkëpunim ndërmjet dy palëve, thuhet në komentin e CMG-së.

Nënshkrimi i dy akteve nga Filipinet një ditë pasi u mësua rezultati i zgjedhjeve presidenciale në ShBA nuk është një rastësi, por një veprim i planifikuar me përpikëri, tha Chen Xiangmiao, drejtor i Qendrës Kërkimore të Marinës Botërore në Institutin Kombëtar për Studimet e Detit të Kinës Jugore. 

Arsyet e kësaj lëvizjeje të Filipineve janë të trefishta, theksoi Chen. Së pari, ato po përpiqen të "peshkojnë në ujëra të turbullta", duke përfituar nga trazirat në peizazhin ndërkombëtar dhe zgjedhjet e sapopërfunduara në ShBA për të pakësuar presionin e opinionit publik rajonal e ndërkombëtar të sjellë nga nënshkrimi i akteve, tha ai.

Së dyti, Manila dëshiron të maskojë veprimet e saj të paligjshme në Detin e Kinës Jugore me një fasadë ligjshmërie, duke krijuar një "fakt të kryer" për t'i bërë trysni administratës së ardhshme të ShBA-së që të vazhdojë të mbështesë Filipinet për çështjen e Detit të Kinës Jugore, tha Chen.

Së treti, qeveria e Filipineve dëshiron të vlerësojë situatën dhe të ofrojë një "betim besnikërie" për administratën e ardhshme të ShBA-së, shtoi ai. 

(Xu Guang)