OKB: Gati 70% e viktimave në Gaza janë gra e fëmijë
2024-11-09 17:23:50

Foto nga VCG

Gaza/Foto nga VCG

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut bëri të ditur të premten se gati 70 për qind e viktimave të verifikuara në Gaza janë gra dhe fëmijë, si dhe dënoi shkeljen sistematike të parimeve themelore të ligjit humanitar ndërkombëtar, shkruan “Panorama”.

Gjetjet e OKB-së mbulojnë shtatë muajt e parë të luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, e cila nisi para më shumë se një viti.

Zyra e OKB-së verifikoi 8119 viktima gjatë shtatë muajve të parë të luftës. Por, kjo shifër është jashtëzakonisht e ulët krahasuar me numrin e përgjithshëm të të vrarëve, mbi 43.000, gjatë 13 muajve luftë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Megjithatë, verifikimi i moshës dhe gjinisë së viktimave nga OKB-ja mbështet pohimet e palestinezëve se shumica e të vrarëve në luftë janë gra dhe fëmijë.

Këto gjetje tregojnë për një shkelje sistematike të parimeve themelore të ligjit humanitar ndërkombëtar, thuhet në një komunikatë të Zyrës së OKB-së.

Izraeli nuk i ka komentuar ende gjetjet e raportit 32-faqesh të OKB-së.