“Euro Balkan Film Festival” nderon Ismail Kadarenë
2024-11-09 17:57:00

Festivali i Filmit (Foto Atsh)

Festivali i Filmit (Foto Atsh)

Edicioni VII i “Euro Balkan Film Festival” që po zhvillohet në Romë, i kushtohet jo vetëm festimit të kinemasë ballkanike, por edhe promovimit të bashkëpunimit midis produksionit italian dhe atij ballkanik.

Ky edicion i bëri homazh shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë, me dhënien pas vdekjes të Çmimit të Karrierës për Bashkëpunimin Kulturor Italo-Ballkanik dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore midis Italisë, Ballkanit dhe kulturës europiane, shkruan “ATSH”.

Gjatë këtij festivali do të shfaqet dhe filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1983), bazuar në romanin me të njëjtin emër të Kadaresë.

Në homazh për të, shfaqjes do t’i paraprihet një panel i thelluar në profilin e shkrimtarit, ku do të flasin Francesco Altimari, studiues dhe profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Kalabrisë, Matteo Mandalà, profesor i Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos, Diana Çuli dhe Luciano Tovoli.

Ndërkohë, do të ketë 10 filma në konkurrim nga regjisorë të rinj që prezantojnë gjuhë të reja kinematografike.

Ndër zërat domethënës dhe për rrjedhojë më të rrallë, do të jetë edhe ai i Kumjana Novakovës, regjisores maqedonase, e cila do të prezantojë dokumentarin e saj “Heshtja e arsyes”, me realitetin e dhunshëm të luftës në Bosnjë-Hercegovinë midis viteve 1992-95, veçanërisht në fshatin boshnjak Foça, i ashtuquajturi “kampi i përdhunimit”.

Filmat jashtë gare do të ofrojnë një dialog midis historisë ballkanike dhe asaj italiane, duke prekur tema të tilla si luftërat ballkanike dhe kujtesa historike.