Draghi (Foto Atsh)
Europa duhet të ringjallë rritjen e saj përmes investimeve masive në inovacionin digjital, tranzicionin e gjelbër dhe industritë e mbrojtjes, deklaron Mario Draghi, ish-kryeministri italian, në një raport të publikuar për të ringjallur rritjen në një Europë që po ngec në krahasim me SHBA-në.
Duke iu drejtuar liderëve europianë të pranishëm në një samiti jozyrtar në Budapest, ai theksoi se reformat ekonomike në BE janë bërë edhe më urgjente me fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane, shkruan “ATSH”.
“Rekomandimet në raport janë urgjente. Duke marrë parasysh situatën ekonomike në të cilën ndodhemi sot, ato bëhen edhe më urgjente pas zgjedhjeve në SHBA. Nuk ka dyshim se presidenca Trump do të shënojë një ndryshim të madh në marrëdhëniet me Europën. Jo domosdoshmërisht në një mënyrë krejtësisht negative, por sigurisht që duhet ta marrim parasysh atë”,- tha ai.
Trump ka premtuar se do të trajtojë tepricat tregtare të BE-së duke vendosur taksa mbi importet.
“Nëse nuk bën ndryshime rrënjësore, BE-ja do të përjetojë një agoni të ngadaltë”,- paralajmëroi Mario Draghi në raportin mbi konkurrencën të publikuar në shtator.
Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel, deklaroi se liderët e vendeve të BE-së pritet të miratojnë një deklaratë të përbashkët për temën e raportit të Dragh-it, duke e cilësuar një bazë dhe një dokument të shkëlqyer.