Zyrtarët dhe ekspertët bëjnë thirrje për ndërtime cilësore të parqeve kombëtare
2024-11-09 17:35:11

Zyrtarë dhe ekspertë nga brenda dhe jashtë Kinës kanë bërë thirrje për ndërtimin me cilësi të lartë të parqeve kombëtare, në një simpozium ndërkombëtar të mbajtur në provincën Hainan të Kinës jugore, shkruan “Xinhua”.

Foto nga VCG

Parkun Kombëtar në Hainan/Foto nga VCG

Simpoziumi Ndërkombëtar 2024 mbi Parkun Kombëtar të Pyjeve Tropikale të Shiut, u hap të enjten në Qarkun Autonom Baisha Li të Hainanit, nën temën “Ruajtja e pyjeve tropikale të shiut: Bashkëjetesa harmonike me natyrën”.

Në aktivitet morën pjesë më shumë se 130 delegatë, të cilët zhvilluan diskutime të thelluara mbi tema si mbrojtja dhe restaurimi i parqeve kombëtare, rruga drejt realizimit të vlerës së produkteve ekologjike, mbrojtja dhe kërkimi i specieve kryesore, etj..

“Ngritja e parqeve kombëtare është një masë kryesore për vendin për të promovuar mbrojtjen natyrore dhe ekologjike, për të ndërtuar një Kinë të bukur dhe për të promovuar një bashkëjetesë harmonike midis njeriut dhe natyrës”,- deklaroi Deng Weiqiang, zyrtar politik i Qarkut Autonom Baisha Li.

Theresa Mundita Lim, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës ASEAN për Biodiversitetin, tha se Hainani është shtëpia e pyjeve të pasura tropikale të shiut dhe e peizazheve malore ku lulëzon biodiversiteti. Ajo vuri gjithashtu në dukje se ndan cenueshmërinë ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimaterike të përjetuara nga fqinjët e Azisë Juglindore.

“Ky simpozium siguron një mundësi të vlefshme për ne që të përfshihemi në diskutime mbi praktikat më të mira në ruajtjen e pyjeve tropikale dhe menaxhimin e parkut kombëtar. Përballja me sfidat e ndërthurura të ndryshimit të klimës dhe biodiversitetit na jep më shumë arsye për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të punuar së bashku”,- tha ajo.

Jonathan Jarvis, ish-drejtor i Shërbimit amerikan të Parkut Kombëtar, foli për kategoritë e larmishme të financimit për parqet kombëtare në mbarë botën dhe ndau mendimet e tij mbi financimin e parqeve kombëtare të Kinës.

“Kina ka një histori shumë të gjatë të parqeve urbane dhe të kuptuarit e vlerës së natyrës. Ky mund të jetë një burim i rëndësishëm financimi për parqet në Kinë”,- tha ai.

Në vitin 2021, Kina krijoi grupin e parë të parqeve kombëtare, që përfshin një sipërfaqe toke të mbrojtur prej 230.000 km katrorë. Në këto parqe, duke përfshirë Parkun Kombëtar të pyjeve tropikale të Hainan-it, gjenden gati 30 për qind e specieve kryesore të kafshëve të egra tokësore të vendit.