KQZ miraton rregullat teknike të administrimit të Platformës Elektronike të Regjistrimit për votën e diasporës
2024-11-09 17:49:38

Votimi i diaspores (Foto Atsh)

Votimi i diaspores (Foto Atsh)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi rregullat teknike të administrimit nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER) të kërkesave për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë territorit të Shqipërisë, shkruan “ATSH”.

Vendimi parashikon rregulla të përgjithshme të përcaktuara në ligj sa i takon shfaqjes së vullnetit të zgjedhësve nga jashtë vendit për t’u regjistruar në platformë, të cilët, me qëllim ushtrimin e të drejtës së votës për zgjedhjet parlamentare, duhet të paraqesin një kërkesë individuale për regjistrim përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER).

Gjithashtu, parashikohen rregullat e posaçme tekniko-proceduriale që lidhen me krijimin, administrimin dhe funksionimin e “PER”, si dhe rregullat teknike për shqyrtimin e kërkesave për regjistrim në “PER”.

Platforma do të krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga KQZ-ja dhe do të jetë e disponueshme dhe e përdorshme në të dy versionet, desktop dhe mobile, pa u kushtëzuar nga lloji i pajisjes që do të përdorë zgjedhësi.

KQZ miratoi edhe programin e edukimit, informimit dhe ndërgjegjësimit të zgjedhësve nga jashtë vendit për zgjedhjet për Kuvendin në vitin 2025. Programi përcakton objektivat dhe hapat konkrete që do të ndërmerren për realizimin e procesit të votimit nga shtetasit me të drejtë vote, të cilët, në ditën e zgjedhjeve ndodhen jashtë vendit.

Për realizimin e programeve ndërgjegjësuese dhe edukuese, KQZ-ja do të bashkëpunojë me partnerët vendas dhe ndërkombëtarë, përfshirë shoqërinë civile. Përfshirja e tyre në realizimin e këtyre programeve përmes ekspertizës, kontributit dhe mbështetjes vlerësohet si një komponent i rëndësishëm për mbarëvajtjen e këtij procesi.