Tradita e muzikës popullore në familjen Lela
2024-11-09 16:09:48

Familja Lela lidhjet me muzikën i ka të kahershme në gjysmën e dytë të shekullit XX. Origjina e tyre është nga fshati Frashër i qytetit të bukur të trëndafilave, Përmetit. Të njohur jo vetëm në fushën e orkestrimit, por edhe të këngës, vëllezërit Lela do të ishin një vulë e artë në folkun shqiptar. Muzikanti i njohur Fatmir Lela tregon për BioFolk se si u krijua kjo Dinasti, rrugëtimin e saj plot talente të trashëguar ndër breza.

CD muzikore e Vellezerve Lela (Facebook)

CD muzikore e Vellezerve Lela (Facebook)

CMG: Si ka nisur tradita e muzikës popullore në familjen Lela?

Fatmir Lela: Babai ynë Mane Lela ka lindur në vitin 1902 në qytetin e Përmetit. Ai ka qenë muzikant dhe instrumentist, i ka rënë lahutës, por njëkohësisht ishte këngëtar i mrekullueshëm. Ai bashkë me babain e Mentor Xhemalit kanë kënduar jo vetëm në Përmet, por dhe nëpër dasma, që nga Janina e gjithandej. Babai na ka mësuar të gjithëve që kemi dalë muzikantë, që nga Çobani, vëllai tjetër me fizarmonikë, Rizai, Myslymi, Ahmeti, Bilali, dhe pastaj në fund unë. Jemi gjashtë vëllezër, të gjithëve ai na ka mësuar.

CMG:  Si erdhi familja juaj nga Përmeti në Tiranë në ato vite?

Fatmir Lela: Babai ka patur një vëlla Jonuzin, që i binte klarinetës  dhe punonin bashkë. Jonuzin e morën në Radio Tirana, ku filloi punë në sazet e radios. Ndërkohë në kohën e pushtimit të Italisë do të bëhej një pllakë gramafoni me muzikë shqiptare dhe italiane. Gjatë bisedës klarinetisti i madh Jonuzi thotë se Mane Lela duhet të vijë në Tiranë me lahutë, nëse duhet të bëjmë punë. Kështu që i bënë telegram babait dhe erdhi në Tiranë me lahutën, ku përfunduan dhe diskun. Pastaj Jonuzi i thotë babait tim që të marrë fëmijët dhe të vinte të jetonte në Tiranë, për të filluar punë në sazet e radios, që të të punonin gjithmonë bashkë. Kjo është historia që ne kemi ardhur në Tiranë në vitin 1942.

CMG: Të gjithë pjesëtarët e familjes tuaj ishin muzikantë, por si i trashëguat te njëri-tjetri instrumentat popullore?

Fatmir Lela duke punuar ne studio (Facebook)

Fatmir Lela duke punuar ne studio (Facebook)

Fatmir Lela: Babai përveçse luante në lahutë, edhe bënte lahuta. Gjithashtu ai i binte dhe bakllamasë (buzukut). Ai këndonte dhe mësoi vëllain e madh Çobanin me klarinetë, pastaj Rizain me fizarmonikë dhe Myslymin me violinë, Ahmetin me fizarmonikë dhe lahutë, Bilalin me def, dhe në fund më mësoi mua për t’i rënë të gjitha instrumentave popullorë. Ne këtë traditë e kemi trashëguar në brezat e tjerë, fëmijëve, nipërve e mbesave, të cilët kanë mbaruar shkollën për muzikë. Familja jonë është marrë gjatë gjithë kohës vetëm me muzikë.

CMG: Flasim për kabanë e famshme të vëllait tuaj Remzi Lela në filmin e njohur shqiptar “Gjeneral Gramafoni”.

Fatmir Lela ne interviste per CMG

Fatmir Lela ne interviste per CMG

Fatmir Lela: Aleksandër Peçi po punonte për këtë film në Përmet. Ndërkohë një kushëriri ynë në Përmet Ylli Zeqiri, i cili ka kënduar me Mentor Xhemalin, i thotë Peçit që kjo kaba është shumë e vështirë, por kemi Çobanin në Tiranë. Kështu që shkuam në orkestrën e RTSH-së, ku ishte i ndjeri Ferdinand Deda dhe Aleksandër Peçi. Ata i treguan Remziut pllakën me kabanë që kishte luajtur një instrumentist, dhe e pyetën nëse mund ta bënte. Remziu pasi e dëgjoi u tregua i gatshëm ta realizonte në moment kabanë. Kabaja duhej të lidhej me orkestrën e radios, dhe nuk duhet të kishte pauzë, pasi mbaronte Çobani kabanë e “Gjeneral Gramafonit” duhet të hynte direkt orkestra sinfonike. Kështu u realizua kabaja e famshme e filmit të njohur shqiptar, që sot ka lënë gjurmë të mëdha në gjithë botën.

Fatmir Lela.(facebook)

Fatmir Lela.(facebook)

CMG: Muzika juaj i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke u përfaqësuar në çdo vend të botës. Ku keni marrë pjesë në koncerte jashtë vendit dhe si jeni pritur nga publiku i huaj?

Fatmir Lela: Ne kemi prodhuar një CD në Francë në vitin 1992. Aktiviteti ynë muzikor ka filluar shumë më përpara në festivalet folklorike të Gjirokastrës. Në njërin nga festivalet erdhi një grup francez, i interesuar për të marrë grupe muzikore. Ata na shikuan ne në festival dhe na pëlqyen. Familja jonë ka zhvilluar turne në Francë për 17 vite, ku qëndronim nga një deri në dy muaj atje. Gjithashtu kemi dhënë koncerte në gjithë Europën, gati 180 koncerte nëpër salla prestigjoze vetëm me publik të huaj. Pas tre-katër viteve ata e panë të arsyeshme që të prodhonin një CD, e cila filloi të shitej në Amazonë gjatë turneve.

Kur mbaronim turnetë, për t’u kthyer në Paris dhe më pas në Tiranë, një natë shkuam në Radio Francë. Aty na morën në intervistë muzikologë të ndryshëm, sepse ishin të etur për muzikën tonë dhe sesi ne e trashëgonim këtë traditë muzikore. Me dy materiale të CD-së ne u futëm në muzikën botërore, “Penxherenë e zotërisë sate” dhe “Kabanë lushnjare”. Madje në Radio Francë kemi bërë një koncert vetëm për muzikologët, ku i pranishëm ishte dhe i madhi Mentor Xhemali.

Muzikanti Fatmir Lela (Facebook)

Muzikanti Fatmir Lela (Facebook)

CMG: Prej vitesh je marrë me krijimtari muzikore, duke prodhuar mjaft këngë për këngëtarët e muzikës popullore. Me cilët këngëtarë ke bashkëpunuar më së shumti?

Fatmir Lela: Kam filluar në krijimtari të lirë në momentin kur u mbyll hotel Dajti, ku punoja me orkestrën dhe pastaj dolëm në krijimtari të lirë. Kam kompozuar 312 këngë, të cilat i kam të çertifikuara te e drejta e autorit. Unë kam punuar me të gjithë këngëtarët e njohur, duke filluar nga Bujar Qamili, Artiola Toska, Eli Fara, Shkëlzen Jetishi dhe shumë këngëtarë të tjerë. Akoma vazhdoj të krijoj muzikë dhe pse jam në moshën 71 vjeç, por kam shumë kërkesa sepse e kam dhe për nder kur marrin muzikë bio, qoftë dhe nga Kosova kanë dëshirë të bëjnë lidhje me familjen tonë për krijimtari muzikore.

CMG:  Në cilën trevë e ndjen veten më mirë kur kompozon?

Fatmir Lela: Nuk mund t’i ndaj trevat, sepse unë kam bërë këngë për Fatmira Breçanin dhe deri në trevën e jugut. Mendoj se çdo trevë ka lulet e saj dhe nuk mund të bëj dot dallim, ngaqë i njoh shumë mirë trevat, sepse ne kemi pasuri të jashtëzakonshme. Jemi vend kaq i vogël, por jemi madhështor përsa i përket zhanreve të ndryshmë të muzikës popullore.

CMG: Je nga të rrallët muzikantë që i ke qëndruar traditës së muzikës popullore, duke e ruajtur më së miri traditën e familjes.

Fatmir Lela (Facebook)

Fatmir Lela (Facebook)

Fatmir Lela: Ka disa kohë që muzika popullore qytetare, sidomos e Shqipërisë së mesme ka filluar të degradojë pak a shumë me rrymat orientale. Hafsa Zyberi ka qenë një perlë e vërtetë dhe e kemi për nder ne dhe treva e Shqipërisë së mesme që ka pasur një këngëtare të mirëfilltë me vlera të jashtëzakonshme. Kështu që nuk është mirë të futen gjëra jo të mira dhe të prishet muzika e Shqipërisë së mesme, sepse ka vlera të mëdha. Ne e kemi ruajtur si familje dhe vazhdojmë ta ruajmë këtë trashëgimi akoma me seriozitet të madh, sepse na djeg shpirti për muzikën tradicionale. Jemi rritur dhe nuk dalim dot nga kjo traditë.

CMG:  Studion e ke mbushur plot me CD të ndryshme dhe instrumenta popullore. Sa të frymëzojnë në krijimtarinë  muzikore?

Fatmir Lela: Kënaqësinë time këtu e kam tek instrumentat, sepse krijimtaria ka shumë lidhje me njohjen e instrumentave. Unë kam realizuar dy albume me bakllama, që më ka mbështetur Ministria e Kulturës. Kam përfituar shumë nga këto instrumeta, dhe akoma vazhdoj edhe sot të luaj një orë ose më shumë në instrumenta. Ne duhet ta trashëgojmë në breza muzikën tonë bio.

Intervistoi: Gazmend Agaj