Pr.ligji i ri, nga 2026-a të gjitha ndërtesat do të projektohen për të shfrytëzuar energjinë diellore
2024-11-09 17:08:27

Panele diellore (Foto Rtsh)

Panele diellore (Foto Rtsh)

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin, sipas të cilit, duke filluar nga viti 2026, të gjitha ndërtesat e reja do të duhet të projektohen për të shfrytëzuar energjinë diellore.

Gjithashtu, sistemet teknike në ndërtesa do të inspektohen në intervale të caktuara, përfshirë sistemet e ngrohjes, ventilimit dhe kondicionimit të ajrit me fuqi, shkruan “RTSH”.

Në këtë projektligj shkruhet se pas datës 1 janar 2028, çdokush që do të shesë apo do të japë me qira një banesë duhet të pajiset me certifikatën e performancës së energjisë, pasi në të kundërt transaksioni nuk mund të kryhet.

“Certifikata e performancës energjitike” është një dokument i lëshuar nga audituesi energjetik, ku përcaktohet performanca energjitike e një ndërtese ose thënë ndryshe klasi energjetik i saj, që varion nga A+, në G.

Për të reduktuar konsumin energjetik duhet të aplikohen një sërë masash, duke nisur nga termoizolimi, dritaret me dopio xham, ndriçimi me llamba LED, përdorimi i pajisjeve elektroshtëpiake që nuk konsumojnë shumë energji, etj.

Gjithashtu, në bazë të këtij projektligji, të gjitha ndërtesat e përdorura nga institucione publike të cilat janë të pajisura, ose do të pajisen me certifikatën e performancës energjetike, janë të detyruara ta shfaqin atë në një vend të dukshëm për publikun.

Ky projektligj vjen në kohën kur Shqipëria duhet të ketë një përputhje të legjislacionin me agjendën e Bashkimit Europian për ndryshimet klimaterike dhe që synon të arrijë qëllimin për ndërtesa pa emetime deri në vitin 2050.