Rrëfimi i Ulpianë Malokut
2024-11-09 15:51:25

Arti për mua është vetë jeta, besoj sikur për secilin individ që nuk merret me art, po për mua posaçërisht është ajër, jetë, një hapësirë që unë e kam vetëm për veten, momentet krijuese, edhe ato humbje që kam duke krijuar kam qejf  t’i transmetoj. Besoj që është edhe një shkollë për individët, një mësim. Me një fjalë është gjithçka.

Frymëzimin unë e gjej në përditshmëri përgjithësisht. Kam dëshirë që përmes veprave të mia ose përmes artit që kultivoj të  sjell një ndryshim, një këndvështrim tjetër te shoqëria dhe besoj që ky është një qëllim që duhet ta ketë pak a shumë një artist.

Drama Rrënjë (Foto personale)

Drama Rrënjë (Foto personale)

Veprën e parë s’kisha pas qejf ta  rikujtoj sepse kur je në shkollë duke eksperimentuar me ide, me tekste, me mendime, me shkëmbime mendimesh, nuk e ke gjetur veten pak a shumë. Besoj që teksti im i parë ka qenë produkt i këtij eksperimenti, por teksti im i dytë është i rëndësishëm sepse  këtë po e them qëllimisht për të dhënë një mesazh, sesa shumë kufizohemi prej shkollës, prej profesorëve herë pas here, jo prej të gjithëve sigurisht, po ka prej atyre që janë shumë tradicionalë dhe kërkojnë prej teje që të ndjekësh një linjë që ata e kanë ndjekur kur kanë qenë vetë studentë. Gjë që unë kam qenë kundër prej studimeve dhe një ide që e kam pasur dhe dikujt i është  dukur e parealizueshme, pas një viti ka fituar një çmim. Thjesh po e them këtë që mos të dorëzohen njerëzit që punojnë dhe krijojnë se duhet të besosh shumë në ato që bën.

Dramaturge Ulpiana Maloku (Foto personale)

Dramaturge Ulpiana Maloku (Foto personale)

Sfida më e madhe për mua që e kam hasur gjithmonë dhe vazhdoj ta has është hapësira për të marrë jetë këto tekste që i punoj po kjo nuk domethënë që duhet të ndalem. Ka pasur raste që i kam krijuar vetë hapësirat alternative. Kam dalë jashtë teatrit, kemi punuar shfaqje në shtëpi të braktisura, në vende të hapura edhe kjo është një sfidë e vazhdueshme për secilin dramaturg, por prapë jam që nuk duhet kufizuar, domethënë duhet pak t’i krijosh vetë vetes hapësirë.

Unë e kam gjetur shumë veten tek Shekspiri për shkak të tragjedive, për shkak të njerëzores që ai trajton, mënyrën si e trajton dhe për mua është një prej dramaturgëve më i madhi që duhet të bëhet qëllim në vete dhe  inspirim.

Libri Rrënjë (Foto personale)

Libri Rrënjë (Foto personale)

Procesi im i krijimit dallon prej veprës në vepër. Nuk është kurrë i njëjti, por përgjithësisht unë jam një person që kur e kam një ide duhet ta hedh në letër menjëherë dhe fryma ime e parë ka pasur raste që ka qenë edhe e fundit. Mirëpo ka raste të tjera që një ide që vjen mund ta shkruaj, por mund ta  anashkaloj  në një moment tjetër. Nuk e kam një proces që mund të them se kjo është dhe s’ka tjetër.

“Rrënjë” është një tekst që unë e kam shumë përzemër. Prej momentit që idea më ka ardhur prej një bisede me shokët e mi ku është përmendur dhe ka qenë temë diskutimi jeta pas vdekjes. Aty kam marrë pak a shumë nje nxitje për të menduar  ç’ka ndodh nëse dy embrionë brenda barkut të mamit të vet mendojnë për jetën pas lindjes. Ky paralelizëm mendoj që ju jep hapësirë njerëzve për të reflektuar shumë për jetën e vet dhe për të respektuar hapësirën e tjetrit, gjë që besoj vjen prej tekstit, ose kisha pas dëshirë të vijë nëse nuk vjen.

Ulpiana (Foto personale)

Ulpiana (Foto personale)

Për të punuar si dramaturg për mendimin tim edhe nëse nuk ke arritur të sjellësh  në skenë asnjë vepër që e ke shkruar, po flas për veten personalisht, unë e mendoj që nuk më ndalon për të shkrujtur një vepër tjetër. Domethënë ka vepra që i kam aty, nuk janë bërë asnjëherë shfaqje, por janë idetë e mia, janë ato që unë dua t’i shkruaj. Ndoshta nuk kanë për ta pare dritën e reflektorit kurrë, por prap nuk më ndalon të punoj dhe prodhoj, sepse unë bashkëjetoj me këtë pasion që kam për dramaturgjinë.

Ulpiana Maloku (Foto personale)

Ulpiana Maloku (Foto personale)

Unë jam person që nuk planifikoj shumë, sidomos periudha afatgjata aq më pak. Dua të jetoj  momentet aty për aty dhe shpesh veprat ose tekstet që i kam pasur me porosi për mua kanë qenë shumë shkollë e mire, sepse kam kuptuar që nuk duhesh patjetër të presësh një ide. Mund të punosh edhe për dikë tjetër, por unë nuk mundem ta projektoj veten mbas dhjetë viteve, domethënë e kam shumë të vështirë. Ndoshta nuk dua ta bëj.

Ulpiana Maloku me aktorë (foto personale)

Ulpiana Maloku me aktorë (foto personale)

Janë dy tekste që i kam përzemër. Njëra prej tyre është satirike, në të cilën nuk po e tregoj fabulën, po arsyeja pse kisha qejf të isha në skenë ose në teatër është sepse i flet shumë publikut shqiptar dhe është pak politike. Mua pak më nxit situata, gjendja, ku po shkon kombi dhe ai tekst besoj kishte qenë shumë adekuat për publikun shqiptar. Edhe e dyta është kjo që e pamë në leximin skenik, që ishalla do të bëhet ndonjëherë shfaqje. Kisha pas shumë qejf t’i rikthehem fokusit te dramaturgët vendorë, jo vetëm tekste që besoj që janë të mira për  publikun, por jo të përsëriten herë pas here. Ajo që unë dua është që të ketë më shumë prodhimtari që I flet popullit të vet prej dramaturgëve shqiptarë.

Ulpiana portret (Foto personale)

Ulpiana portret (Foto personale)

Nëse do ta kisha pasur përballë Ulpianën 16-të vjeç do t’i kisha thënë mos ëndërro shumë, ktheje fokusin pak nga teksti jo nga aktrimi. Sepse unë e kam pasur shumë dëshirë aktrimin në atë moshë dhe e kam provuar çfarë do të thotë të jesh aktore, por kurrë nuk e kam kuptuar që faktikisht talentin e kam pasur për tekstet, sepse gjithmonë në secilin tekst që ka qenë i imi dhe i ekipit të punës, unë i kam ndërhyrë, i kam ndryshuar, i kam përmirësuar dhe atëherë nuk i kam kuptuar. Do t’i kisha thënë që tashti çeli sytë se aty e ke fokusin, jo tek aktrimi.