Foto nga China Daily
Rreth 2,100 deri në 1,800 vjet më parë, në atë që është Pakistani i sotëm veriperëndimor, qytetërimi Gandharan prodhoi skulptura të Budës dhe figurave të tjera budiste me tiparet e perëndive greke të mbështjella me rroba aristokrate. Arti Gandhara vazhdoi deri në shekullin e 7-të dhe pati njëfarë ndikimi në skulpturat budiste që shiheshin në Kinë dhe vende të tjera të Azisë Lindore.
"Arti budist i Gandhara-s ka mahnitur vëzhguesit modernë që nga rizbulimi i tij në shekullin e 19-të, sepse artistët përdorën imazhe dhe stile që, në fund të fundit, e kishin origjinën në Greqinë e lashtë, dhe i bënë budiste dhe aziatike, duke i futur në këtë mënyrë në traditat e mëvonshme të artit budist kinez”, - thotë Peter Stewart, profesor i artit antik dhe drejtor i Qendrës Kërkimore të Artit Klasik në Universitetin e Oksfordit. "Ata artistë dhe historia e Gandhara-s janë simbole të fijeve magjepsëse që përshkojnë të gjitha periudhat dhe vendet e eksploruara në këtë botim",- thotë Stewart, duke folur për botimin me gjashtë vëllime të “Nga Mesdheu te Lumi i Verdhë: Qytetërimi helenistik dhe Rruga e Mëndafshit”, gjatë ceremonisë së nënshkrimit për publikimin e një versioni anglisht në Panairin e Librit në Frankfurt disa ditë më parë.
Stewart është bashkëredaktor i vëllimit të katërt, “Nga Apolloni te Buda: Arti Helenistik dhe Artet e Rrugës së Mëndafshit”, i cili merret me përhapjen dhe shkrirjen e artit dhe që, sipas tij, gjurmon traditat e artit klasik perëndimor nga origjina e tij greke, duke parë si u përhap dhe u transformua në botën helene, si u bë trashëgimia e Perandorisë Romake dhe si përfundimisht u rrënjos thellë në kulturat e Azisë Qendrore.
Stewart është ndër 40 studiuesit dhe kontribuesit nga e gjithë bota, të cilët kaluan pothuajse 10 vjet duke përfunduar studimet ndërdisiplinore, të cilat u botuan nga Kompania e Librit “Zhonghua” si një seri librash që përmbajnë rreth 1500 fotografi.
"Projekti ishte i gjerë, por në zemër të tij ishte një propozim i thjeshtë - që dy fusha të dallueshme (qytetërimi helenistik dhe Rruga e Mëndafshit) të studimit ishin të lidhura ngushtë dhe mund të hulumtoheshin dhe shpjegoheshin në mënyrë të dobishme krahas njëra-tjetrës",- thotë Stewart.
“Qytetërimi helenistik dhe Rruga e Mëndafshit duket se janë dy fusha kërkimore të palidhura, por në fakt, ekziston një marrëdhënie logjike e brendshme mes tyre”, - thotë Yang Juping (Jan Iupin), kryeredaktori i librit dhe profesor kryesor i helenizmit në Universitetin Nankai.
Yang thotë se perandoria e krijuar nga Aleksandri i Madh dhe bota helenistike që ai krijoi, që shtrihej nga Mesdheu në Azinë Qendrore dhe kufijtë e Indisë, hodhi themelet për hapjen e Rrugës së Mëndafshit më vonë. Ndërkohë, ambiciet e sundimtarëve të dinastisë Han (206 p.e.s.-220 pas Krishtit) për të menaxhuar rajonet perëndimore të territorit të tyre dhe "eksplorimi" i Azisë Qendrore nga Zhang Qian (Xhan Qian) sollën një epokë të re të shkëmbimit kulturor dhe mësimit të ndërsjellë midis qytetërimeve kineze dhe helenistike.
"Kjo seri është një nga studimet e para gjithëpërfshirëse të marrëdhënies midis qytetërimit helenistik dhe Rrugës së Mëndafshit në Kinë dhe jashtë saj",- thotë Yang, duke shtuar se perspektiva që sjell libri hap një fushë të re kërkimi dhe ka lejuar që zërat e studiuesve kinezë të dëgjohen në një skenë globale për çështje pak të njohura ose të diskutuara gjatë.
Çdo vëllim ka një temë specifike, por ato janë të ndërlidhura, dhe shqyrtojnë pamjen e përgjithshme, sfondin historik, qytetet dhe gjendjen ekonomike të dy zonave, së bashku me trashëgiminë helenistike në Kinë dhe përgjatë Rrugës së Mëndafshit.
Grupi botues “Springer Nature” do të shërbejë si një përforcues i këtyre zërave duke e sjellë serinë për një audiencë më të gjerë ndërkombëtare me një version në anglisht.
“Sot, ne nuk po nxjerrim vetëm një seri librash, por gjithashtu po nisim një dialog që përfshin kontinente dhe shekuj”, - thotë Niels Peter Thomas, drejtor menaxhues për librat në “Springer Nature”.
Zhang Jihai,(Xhan Xhihai) zëvendëskryeredaktor i kompanisë së librit “Zhonghua”(Xhon hua), beson se seria do të ofrojë referenca të vlefshme historike për nismën “Një brez, një rrugë” dhe do të jetë i dobishëm për lexuesit e zakonshëm, duke ofruar një paraqitje të shkurtër të tablosë së përgjithshme të shkëmbimeve të lashta kulturore mes Kinës dhe Perëndimit.
Sp. Të nderuar dëgjues të Radio Ejani, ndoqët artikullin e “China Daily” me titull: Librat eksplorojnë ndikimet e lashta greke në Azi dhe Rrugën e Mëndafshit