Putini: Bashkëpunimi Rusi-Kinë nuk synon asnjë palë të tretë
2024-11-08 21:22:00

foto VCG

Presidenti rus Vladimir Putin duke folur në takimin e Klubit të Diskutimit "Valdai" në Moskë, Rusi, 7 nëntor 2024. / foto VCG

Presidenti rus Vladimir Putin theksoi se besimi i ndërsjellë ndërmjet Rusisë dhe Kinës ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohëve dhe se bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve nuk drejtohet kundër asnjë pale të tretë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara. 

Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth marrëdhënieve Kinë-Rusi gjatë sesionit plenar të takimit vjetor të Klubit të Diskutimit "Valdai" në Moskë të enjten, ai vuri në dukje se themelet e forta të besimit të ndërsjellë i kanë ngritur marrëdhëniet ruso-kineze në një nivel të pashembullt. Bashkëpunimi dypalësh përfshin sektorë të ndryshëm, si energjetikën dhe teknologjinë e lartë, ku të dy vendet përplotësojnë njëri-tjetrin.

Putini theksoi që nisma kineze "Një brez, një rrugë" përshtatet me interesat e të dy vendeve. Ai vuri në dukje gjithashtu se një mjedis i qëndrueshëm politik e ekonomik në Azinë Qendrore sjell përfitime për interesat strategjike të Rusisë, duke shtuar se nuk ka konkurrencë ndërmjet Rusisë dhe Kinës në rajon, po vetëm bashkëpunim. 

Ai përsëriti se partneriteti ruso-kinez nuk synon kundërshtimin e asnjë vendi tjetër, por qëllimi kryesor i bashkëpunimit dypalësh është mbështetja e zhvillimit kombëtar dhe krijimi i kushteve për sigurinë e popujve të tyre. Kreu i Kremlinit shtoi se Rusia nuk bashkohet me asnjë vend për t'iu kundërvënë ndonjë vendi tjetër. 

Putini theksoi se bashkëpunimi në rritje ndërmjet Rusisë dhe Kinës kontribuon në qëndrueshmërinë rajonale e botërore. Ai tha se stërvitjet e përbashkëta ushtarake të të dy vendeve përqendrohen në mbrojtjen e sigurisë së tyre e nuk përbëjnë ndonjë kërcënim për Azinë Lindore.