Integrimi Shqipëri-BE (Foto RTSH)
Më 15 tetor 2024, në Luksemburg, qeveria jonë nënshkroi çeljen e negociatave teknike të Shqipërisë për grup-kapitullin e parë të bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, gjatë Konferencës së Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Ky grup-kapitull përmban çështje bisedimi si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike, prokurimi publik, statistikat dhe kontrolli financiar. Këto çështje janë quajtur themeltare nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Hapja praktike e kapitullit të parë në këtë proces ka vërtet një rëndësi historike. Ky hap shënon kalimin e procesit nga niveli politik në atë praktik.
Keqkuptimet, keqinterpretimet, mosbesimi i theksuar dhe mungesa e informacionit nuk kanë më rëndësinë e mëparshme në proces. Edhe shprehjet e stërpërsëritura për 24 vite rrjesht se “Shqipëria e ka vendin në BE”, që nga takimi i parë nivelit të lartë(samiti) i parë BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb në vitin 2000.
Kryeministri Edi Rama (Foto Klan tv)
Ka kaluar gati një çerek shekulli që nga samiti i parë. Jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin kemi dëgjuar fjalë të mira për perspektivën e garantuar në Evropën e Bashkuar.
Ndërkohë përparimi drejt anëtarësimit ka qenë shumë i ngadalshëm. Shpesh për shkaqe politike brenda gjashtë vendeve tona të Ballkanit Perëndimor, nuk ka pasur fare lëvizje. Nganjëherë, për interesa politike të vetë BE-së janë bërë disa lëvizje. Por jo të mjaftueshme.
Tani, më në fund po nis pjesa praktike e bisedimeve të anëtarësimit edhe për Shqipërinë. Gjithshka këtej e tutje do të varet nga tre faktorë kokëfortë.
Së pari, nga gatishmëria e BE-së për të përshpejtuar procesin. Me pranimin e aplikimit të Shqipërisë për t’u futur rrjetin SEPA të transakasioneve financiare të euros, vendet e Bashkimit Evropian na përshpejtuan dhe bënë shumë mirë.
Së dyti, procesi i anëtarësimit këtej e tutje do të varet shumë edhe nga administrata jonë shtetërore dhe aftësia e saj për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.
Së treti, nga gjithëpëlqimi i brendshëm i forcave politike në Shqipëri. Bisedimet me BE-në bëhen për shtetin dhe qytetarët, dhe jo për partitë politike. Anëtarësimi në BE është interes strategjik kombëtar.
Sikurse theksoi Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp në Luksebburg, me rastin e çeljes së bisedimeve teknike me Bashkimin Evropian:
Çelja e negociatave (Foto Reporteri)
“Çelja e grup kapitullit themelor sot me 5 kapitujt kryesorë plus tri kriteret, përbën një arritje të madhe dhe besoj për të dy palët, qoftë për Shqipërinë, ashtu edhe pë BE-në, shënon një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian.
Institucionet tona të reja të drejtësisë, të lindura nga reforma më tërësore themelore në drejtësi që është ndërmarrë nga një vend kandidat, përpara së të hyjë në BE, po shënojnë përparime domethënëse, krah agjencive ligjzbatuese të partnerëve europianë.
Ky progres vetëm sa do të thellohet më tej. Do ta bëjmë këtë, duke mbrojtur e ruajtur të drejtat e njeriut, sigurisht në një shoqëri gjithëpërfshirëse që nderon diversitetin dhe ruan të drejtat e grupeve të pakicave, duke siguruar përputhshmërinë me standardet europiane ndërkombëtare të drejtave të njeriut.
Ne kemi zbatuar tashmë një kuadër mjaft progresiv ligjor, bazuar në standardet e Këshillit të Europës, duke shërbyer si një shembull i shndritshëm për shumë të tjerë, përshi edhe vende brenda Bashkimit Europian kur vjen fjala për angazhimin për një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku të gjitha pakicat janë të barabarta dhe të mbrojtura njësoj dhe vullneti ynë për të jetuar në frymë e në letër këtë legjislacion do të plotësohet së shpejti me aktet nënligjore.
Do ta bëjmë këtë, duke forcuar funksionalitetin e integritetin e kuadrit tonë demokratik me administratë publike që udhëhiqet nga parimet e efikasitetit, transparencës dhe meritokracisë mbi punën e shkëlqyer të një ekipi të madh negociatorësh kombëtarë gjatë fazës sfiduese të kontrollit të legjislacionit me BE-në dhe do ta forcojmë këtë administratë publike në shërbim të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë në Bashkimin Europian”.
Në procesin e integrimit në familjen e përbashkët evropiane të Bashkimit Evropian, ka disa hapa historikë për një vend që kërkon të bëhet vend anëtar.
Nënshkrimi nga Shqipëria, më datën 15 tetor 2024, i çeljes së negociatave teknike, gjatë Konferencës së Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ishte i tillë.
Tani ecja e vendit, e shoqërisë dhe e ekonomisë së tij është e përcaktuar dhe mund të përshpejtohet, pasi, më në fund, po nis pjesa praktike e bisedimeve të anëtarësimit edhe për Shqipërinë. Gjithshka këtej e tutje do të varet nga disa faktorë kryesorë, me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e qendrueshëm ekonomik të vendit.
Kryeministri Edi Rama u shpreh i bindur në Luksemburg, se Shqipëria bisedimet teknike për anëtarësimin në BE do t’i përfundojë shumë shpejt dhe do të nënshkruajë në pak vite Traktatin e Anëtarësimit.
Pastaj, të 27 Vendet Anëtare të BE-së do të votojnë unanimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Procesi është sfidues dhe i vështirë. Megjithatë, qeveria e Shqipërisë është e bindur se ai do të përparojë shpejt.
Fatos Çoçoli