< img height="1" width="1" style="display:none"src="https://www.facebook.com/tr?id=514174860241230&ev=PageView&noscript=1"/>
Fitorja e Trump dhe ndikimi global
2024-11-08 14:26:13

Zgjedhjet për president në SHBA, sa i përket rolit të këtij vendi  në çështjet globale i bën ato  një çështje me interes të madh ndërkombëtar. Pas shpalljes së Donald Trump si president i 47-të i SHBA-së, tashmë në një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë, kjo ngjarje është përcjellë nga mediat ndërkombëtare dhe liderë botërorë kanë shprehur urimet e tyre në adresë të tij. Në fushatën zgjedhore kandidati republikan Donald Trump prezantoi si prioritete të administrates së tij ekonominë kombëtare, sigurinë dhe emigracionin. Ndikimi i zgjedhjeve për kreun e Shtëpisë së Bardhë pritet të jetë i madh në mbarë botën dhe në mënyrë të veçantë në marrëdhënien SHBA-Kinë, e cila është marrëdhënia dypalëshe më e rëndësishme  në aktualitetin politik global. Cila do të jetë qasja e re e administrates Trump në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar? Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës prof. Enver Bytyçi analizon fitoren e presidentit Trump dhe ndikimin e saj në plan global

CMG: Një fushatë e ashpër zgjedhore mes rivalëve Harris dhe Trump, pasuar me një fitore të rëndësishme të republikanëve. Në analizën tuaj përse amerikanët zgjodhën Trump si presidentin e tyre?

Prof. Enver Bytyçi: SHBA janë fuqia më e madhe e botës, ekonomia më e madhe e saj, po ashtu dhe fuqia ushtarake, nga të cilat buron dhe fuqia politike. Zgjedhja e presidentit në SHBA është lajm jo vetëm për qytetarët amerikanë, por dhe të botës sepse ndryshimet në Amerikë zhvendosin ekuilibrat, ndryshojnë balancat. Aq më tepër Donald Trump, i cili njihet si një politikan që nuk i përmbahet ideologjive, përveç se pragmatizmit, çka do të thotë që vendimet e tij për botën dhe SHBA-në janë dhe do të jenë vendime të cilat do të burojnë nga interesat amerikane dhe jo nga ndonjë ideologji e caktuar.

Kësisoj Trump është disi i paparashikueshëm në kuptimin e marrëdhënieve dhe bota tashmë e njeh këtë. Trump ishte katër vite përkatësisht në 2016-2020 presidenti i 45-të i SHBA-së dhe në atë periudhë ai ka patur disa “mea culpa” në kuptimin e marrëdhënieve me partnerët, sidomos me ata europianë, kinezë e të tjerë. Bota tashmë e di se kush është Trump, se çfarë politike ndjek me një vendimmarrje të prerë, ndoshta dhe të shpejtë dhe jo të zvarritur, që krijon status-quo dhe kushte për konflikte të mëtejshme në rajone të ndryshme të botës.

Në disa pikëpamje ai kishte të drejtë kur kërkonte që vendet europiane të rrisnin buxhetin për ushtrinë, sepse SHBA nuk kishin dhe nuk kanë pse të paguajnë për sigurinë dhe mbrojtjen e shteteve të tjera, qofshin ata edhe miq.

foto: ABC News

foto: ABC News

CMG: Amerikanët së pari janë fokusuar në premtimet ekonomike të tij.

Prof. Enver Bytyçi: Ekonomia, siguria dhe emigracioni janë tre elementet kryesorë që çuan në fitoren e tij.

CMG: Ndoshta dhe slogani i tij “ Ta bëjmë Amerikën më të mire”, që në fakt ka qenë dhe sllogani i zgjedhjes së pare të Trump-it si president.Me sa duket ky slogan nuk ka patur skadencë.

Prof. Enver Bytyçi: Jo, nuk ka patur skadencë, por thjesht është transformuar sepse si president i 45-të thoshte “Amerika e amerikanëve”, ndërkohë që tani pati një zbutje të sloganit, jo sikur Amerika do të izolohet. Mendoj që këta 3 faktorë, ekonomia, rritja e çmimeve, rritja e inflacionit, rritja e borxhit publik kanë bërë që amerikanët t’i drejtohen Donald Trump me shpresën se ai do të vendosë ekuilibra, duke e vendosur në shinat e duhura ekonominë amerikane.   

Në qeverisjen e tij të mëparshme Trump pati përparime në ekonomi dhe zhvillime pozitive. Demokratët janë më pak aktivë në çeshtjet ekonomike

CMG: Ndoshta ndihmoi për këtë dhe presidenca Biden gjatë këtyre 4 viteve?

Prof. Enver Bytyçi: Presidenca Biden  padyshim që ndihmoi që të fitonte Trump. Ndryshimi i kandidatit për president nga ana e demokratëve në mes të fushatës ishte një nga arsyet që fitorja e presidentit Trump ishte e thellë. Por ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin që ka një diferencë shumë të madhe midis parashikimeve të sondazheve dhe asaj çfarë ndodhi në praktikë. Kjo diferencë nxjerr një problematikë të madhe sepse sondazhet dhe anketimet që kryhen në raste të tilla realizohen nga ekspertë, shkencëtarë që kanë besueshmëri të lartë dhe humbja e kësaj besueshmërie është një goditje e rëndë për opinionin publik, por edhe për vetë ata që i organizojnë këto sondazhe.

CMG:Analistë të mediave ndërkombëtare kanë shprehur shqetësim se një fitore e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA mund të përkeqësojë marrëdhëniet me BE-në për çështjet nga tregtia te siguria dhe ndihma për Ukrainën. Ndërkohë një nga premtimet zgjedhore të Trump ishte dhënia fund e luftës në Ukrainë. Opinioni juaj   

Prof. Enver Bytyçi: Europianët kanë qenë të frikësuar nga fitorja e Trumo që gjatë fushatës elektorale, madje janë bërë përpjekje për të krijuar një lloj kohezioni ndërmjet udhëheqësve politikë të Europës që të ndihmonin me çdo kusht zgjedhjen e Kamala Harris, por nuk pati sukses. Tashmë jemi para faktit të kryer dhe Trump është president i SHBA-së.

Mendoj që europianët kanë politika më liberale me administratën e demokratëve dhe janë mësuar me këtë lloj politike më liberale. Madje dhe përfaqësuesit republikanë në Shtëpinë e Bardhë dhe këtu kam parasysh George Bush (Senior) dhe George W Bush, që kanë patur politika disi më liberale se sa presidenti Trump me vendet europiane.

Ndërkohë Trump ka paralajmëruar dhe ka dëshmuar në mandatin e tij të pare se me Europën nuk pajtohet në dy aspekte. Së pari në aspektin e kontributeve të saj për sigurinë dhe mbrojtjen, pra për NATO-n dhe në aspektin e lëshimeve që i janë bërë Europës nga ana e administrates së demokratëve sa i përket tarifave doganore dhe tarifave të tjera të shkëmbimit të mallrave.

Ai ka paralajmëruar se do t’i rrisë këto tarifa me 20 përqind dhe kjo rritje vetëm për Gjermaninë do të thoshte 185 miliard dollarë deficit në një vit. Ky do të ishte një dëm i madh për ekonominë europiane dhe sidomos për ekonominë gjermane. Me sa duket kjo ka çuar dhe një një lloj krize të qeverisë së kancelarit Scholz, i cili u detyrua të shkarkojë këto ditë ministrin e financave Linden. E gjitha kjo do të thotë që në Gjermani po shkohet drejt zgjedhjeve të reja dhe Scholz deklaroi se në janar do të kërkojë votëbesim në Bundestagun gjerman dhe për pasojë pres që të shpallen zgjedhjet e reja ndoshta nga marsi i vitit të ardhshëm.

CMG: Edhe sfondi ekonomik në prag të një recesioni nuk e ndihmon situatën

Prof. Enver Bytyçi: Janë shumë arsye që kanë çuar në këtë, por njera ndër to është edhe zgjedhja e Trump-it dhe ndoshta ndryshimi i subjekteve politike në qeverisje, me qëllim që të përshtaten më mire me politikat amerikane sepse nuk është i paktë dëmi i madh që iu shkaktua Gjermanisë nga tarifat amerikane.

Ndërsa sa i përket NATO-s besoj se do të gjindet një zgjidhje dhe kam përshtypjen se SHBA nuk do të merrem me strukturën europiane si Bashkimi Europian.

CMG: Fitorja e republikanit Trump është përshëndetur nga liderët shqiptarë.nga presidenti Begaj dhe kryeministri Rama. Do të ndikojë ardhja e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë në  marrëdhëniet mes dy vendeve?

Prof. Enver Bytyçi: Mendoj që presidenti Trump nuk do të ndryshojë pothuajse asgjë në politikën e SHBA-së ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit dhe do të vazhdojë me politikën e mëparshme. Politika e jashtme amerikane në përgjithësi është një kontinuitet i politikave të mëparshme, dhe në vende të tjera shtetet serioze nuk i ndryshojnë strategjitë politike në marrëdhëniet me jashtë kur ndryshojnë presidentët apo qeveritë. Ndërkohë ata ndryshojnë politika të tjera që lidhen me ekonominë, taksat, tatimet, emigracionin dhe çeshtje të tjera, aq më tepër që opinioni publik  amerikan i ka dhënë vetëm 5 pikë zgjedhjeje politikës së jashtme, çka do të thotë se është pa peshë në ndikimin në elektorat . Sigurisht që do të ketë një lloj “kozmetike” tjetër, në kuptimin e intensitetit dhe të përshpejtimit.

foto: VCG

foto: VCG

CMG: Në analiza të mediave vihet re se gjatë fushatës zgjedhore të kandidatit republikan Trump nuk është përmendur shumë Kina, ndoshta dhe për shkak se nuk është fokusuar shumë në çeshtjet diplomatike, por sigurisht që nuk është anashkaluar. Ndërkohë pas zgjedhjes së zotit Trump si president i SHBA-së ka patur një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Kinës, si dhe mesazhi i presidentit kinez Xi Jinping, ku theksohet se “ Nga historia kemi mësuar që Kina dhe SHBA marrin përfitime nga bashkëpunimi dhe humbje nga luftimet”. Sa pritet të ndikojë zgjedhja e presidentit Trump në marrëdhëniet midis dy ekonomive të mëdha të botës, SHBA-së dhe Kinës?

Prof. Enver Bytyçi: Nëse i referohemi fushatës elektorale dhe qeverisjes së mëparshme të Trump dhe fushatës elektorale të tanishme unë ve re që ka një tërheqje të Trump nga një diskurs agresiv ndaj Kinës. Nuk kemi Trump-in e para 4 apo 8 viteve, kur kishte një gjuhë shumë të ashpër, megjithatë gjatë fushatës së tanishme  nuk janë marrë me Kinën, por janë marrë me njeri-tjetrin në kontekstin e Kinës, duke akuzuar Biden dhe Harris për lëshime ndaj Kinës.

Kemi të bëjmë me një shpërfaqje të tërthortë të qëndrimeve të Trump në politikën e jashtme ndaj Kinës dhe   këtë kam përshtypjen se e ka bërë gjatë fushatës elektorale për të qenë konseguent në qëndrimet e tij. Por përderisa nuk është bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me gjuhën e dikurshme, mendoj se ka qenë një taktikë për të tërhequr  elektoratin që besoj tek politika e jashtme por jo një qasje që do ta shohim në qeverisjen e tij.

Mendoj se as SHBA-së nuk i intereson tensionimi i marrëdhënieve tregtare me Kinën sepse edhe SHBA humbet në këtë rast dhe jo vetëm Kina. Në një marrëdhënie dypalëshe ato janë zhvilluar gjithmonë në interes të përbashkët e të ndërsjellë që nga viti 1972 kur presidenti amerikan Nixon vizitoi Pekinin. Në këtë aspekt them se Trump nuk do të bëjë ndonjë ndryshim të madh dhe nuk besoj se do të rritë tarifat në 60 për qind për mallrat kineze që hyjnë në SHBA dhe mund të ketë një rritje por pres që ajo të jetë në një nivel me rritjen që mund të bëjë për vendet e BE-së. Kjo me qëllim që të mos bëjë diskriminime sepse kjo krijon problematika dhe konflikte të panevojshme.

Ndërkohë Trump u shpreh se nuk do të ketë atë vemendje që ka patur adminnistrata Biden për Tajvanin dhe kjo është shumë e rëndësishme për Kinën sepse do të thotë që Trump njeh vendimet e Këshillit të Sigurimit dhe pranimit të Kinës në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit përsa i përket çeshtjes së Tajvanit, ku përveç përdorimit të forces gjithçka është e lejueshme. Besoj që në këtë pike Trump është pragmatist dhe është zotuar që të mos krijojë vatra konflikti. Kjo është gjë e mire për botën, për SHBA-në dhe për Kinën.

Lajmet Kryesore

Our Privacy Statement & Cookie Policy

By continuing to browse our site you agree to our use of cookies, revised Privacy Policy. You can change your cookie settings through your browser.
I agree