Presidenti Begaj: BSEC, model i diplomacisë shumëpalëshe politike dhe ekonomike
2024-11-08 10:03:24

Foto nga ATSH

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u takua me sekretarin e përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC), Asaf Hajiyev.

Gjatë takimit, presidenti Begaj risolli në vëmendje kontributin e Shqipërisë përgjatë presidencës së shkuar gjashtëmujore të kësaj organizate, bazuar në moton domethënëse: “Të bashkuar për një bashkëpunim paqësor në zonën e BSEC”.

Si anëtare themeluese e BSEC-së, Shqipëria ka punuar për ngritjen e bashkëpunimit në një nivel më të qëndrueshëm ekonomik dhe social, në forcimin e organizatës dhe ndërveprimin me Bashkimin Evropian.

Shqipëria, nënvizoi presidenti Begaj, vlerëson se BSEC-ja, si promovuese dhe nxitëse e bashkëpunimit dhe e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, përfaqëson një model të diplomacisë shumëpalëshe politike dhe ekonomike, shkruan “ATSH”.

“Ne duhet të vijojmë më tej konsolidimin e Asamblesë Parlamentare dhe Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, me synim rritjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e BSEC-së”,- tha presidenti Begaj.

Kreu i shtetit shqiptar i përcolli Hajiyev përgëzimet për arritjet e Asamblesë Parlamentare të BSEC-së në partneritetin mes parlamenteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për zbatimin e projekteve dhe përmbushjen e synimeve të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.