Pas shkarkimit të ministrit të Financave, Gjermania pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme
2024-11-08 10:33:06

Foto nga VCG

Kancelari Olaf Scholz shkarkoi ministrin e financave, Christian Lindner, të Partisë Demokratike të Lirë (FDP), duke çuar në rrëzimin e koalicionit qeverisës të Gjermanisë, shkruan “Panorama”. Në vend të tij u emërua Jorg Kukies, ish-këshilltari i tij ekonomik.

Tani, Scholz pritet të kryesojë një qeveri të pakicës me Social Demokratët e tij dhe Të Gjelbërit, partia e dytë më e madhe e vendit.

Atij do t’i duhet të mbështetet në një shumicë parlamentare të forcave të ndryshme politike për të miratuar ligje dhe ka në plan të thërrasë një votëbesim në qeverinë e tij më 15 janar, gjë që mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme deri në fund të marsit.

Kancelari Scholz tha se do t’i kërkonte kreut të konservatorëve të opozitës Friedrich Merz, që është shumë përpara në sondazhe, mbështetjen për miratimin e buxhetit dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake.

Rënia e aleancës prej tre partish të Scholz është pika kulmore e muajve të tërë mosmarrëveshjesh mbi politikën buxhetore dhe drejtimin ekonomik të Gjermanisë, ndërsa popullariteti i qeverisë ka rënë dhe forcat e ekstremit të djathtë dhe të majtë janë në rritje.

“Ne kemi nevojë për një qeveri që është në gjendje të veprojë, që ka forcën për të marrë vendimet e nevojshme për vendin”,- u tha Scholz gazetarëve.

Kancelari gjerman tha se e shkarkoi Lindner për shkak të pengesave shkaktuar prej tij lidhur me mosmarrëveshjet buxhetore, duke akuzuar ministrin se ka vendosur partinë para vendit dhe ka bllokuar legjislacione pa baza.

Kriza në qeverisje vjen në një pikë kritike për Gjermaninë, me një ekonomi në rënie, infrastrukturë të vjetëruar dhe një ushtri të papërgatitur.

Një tronditje politike mund të nxisë zhgënjimin në rritje me partitë kryesore të Gjermanisë në favor të lëvizjeve më të reja populiste, përfshirë Alternativën për Gjermaninë, (AfD) kundër emigrantëve.

Pozicionet e ministrit në largim të Drejtësisë, Marco Buschmann, dhe ministres së Arsimit, Bettina Stark-Watzinger, ka të ngjarë të zëvendësohen nga ministrat tashmë në kabinet.