Xi Jinping zhvilloi bisedime me homologun e tij italian Sergio Mattarella
2024-11-08 22:00:07

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të premten në Pekin bisedime me homologun e tij italian Sergio Mattarella, që ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë.

Xi vuri në dukje se sivjet është 20-vjetori i vendosjes së partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës e Italisë dhe, me këtë rast, të dyja palët publikuan një plan veprimi për të forcuar partneritetin e gjithanshëm strategjik dhe ranë dakord të ruajnë frymën e lashtë të Rrugës së Mëndafshit e të nxitin hyrjen e marrëdhënieve dypalëshe në një etapë të re zhvillimi.

Kreu i shtetit kinez theksoi më tej se respekti i ndërsjellë, besimi reciprok dhe përfitimet e përbashkëta duhet të jenë gjithmonë tipari themelor më dallues i marrëdhënieve Kinë-Itali. Të dyja palët duhet t'i shfrytëzojnë plotësisht rolin e Komitetit Ndërqeveritar Kinë-Itali dhe të mekanizmave të dialogut në fusha të ndryshme, të forcojnë shkëmbimet, të konsolidojnë besimin reciprok, të vazhdojnë të mirëkuptojnë e të mbështesin interesat thelbësorë dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës dhe të bëhen partnere strategjike që mbështesin njëra-tjetrën. Pala kineze është e gatshme të zgjerojë importet e produkteve italiane të cilësisë së lartë, të mbështesë investimet e ndërsjella midis sipërmarrjeve të të dy vendeve dhe të vazhdojë të nxisë bashkëpunimin në shkencë e teknologji, mbrojtjen e mjedisit, energjinë e pastër, fluturimet hapësinore dhe fusha të tjera.

Xi Jinping-u vuri në dukje gjithashtu se bota po pëson ndryshime të thella dhe Kina e BE, si dy forca paqësore dhe konstruktive, i përmbahen drejtimit të duhur të komunikimit strategjik, hapjes e bashkëpunimit, shkëmbimeve e mësimit të ndërsjellë, gjë që është e dobishme për të dyja palët dhe për botën. Kina e konsideron Europën si një partnere të rëndësishme në modernizimin kinez dhe të dy palët duhet t'i përmbahen bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta e të kontrollojnë siç duhet mosmarrëveshjet, në mënyrë që marrëdhëniet Kinë-BE të tregojnë pjekuri dhe qëndrueshmëri. Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me BE-në për të trajtuar sfidat globale dhe shpreson që Italia do të luajë një rol pozitiv në këtë drejtim.

foto CMG

Nga ana e tij, Mattarella tha se i kujtohet ende vizita në Kinë në vitin 2017 dhe pritja e presidentit Xi Jinping në Itali në vitin 2019. "Ky vit shënon 700-vjetorin e vdekjes së Marko Polos, marrëdhënia e të cilit me Kinën është mishërimi i miqësisë së gjatë ndërmjet Italisë dhe Kinës dhe i ndërveprimit ndërmjet dy qytetërimeve të shkëlqyera. Bota e sotme po kalon ndryshime të thella dhe shoqëria njerëzore duhet të forcojë solidaritetin dhe ndihmën e të ndërsjellë për të arritur bashkëjetesën harmonike. Italia dhe Kina duhet të thellojnë më tej shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit, mësimdhënies së gjuhës dhe binjakëzimin e vendeve të trashëgimisë kulturore, në mënyrë që të japin kontribute të reja në nxitjen e shkëmbimeve dhe mësimit të ndërsjellë midis qytetërimeve lindore e perëndimore dhe nxitjen e përparimit të qytetërimit njerëzor," theksoi ai. Më tej presidenti italian u shpreh se vendi i tij i përmbahet me vendosmëri parimit të "Një Kine", e konsideron gjithmonë Kinën si një partnere të rëndësishme bashkëpunimi dhe pret të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fushat ekonomiko-tregtare, tekniko-shkencore etj. me rastin e 2-vjetorit të vendosjes së partneritetit të gjithanshëm strategjik, për t'i çuar marrëdhëniet dypalëshe në një lartësi të re. Italia ndan qëndrime të ngjashme me Kinën për shumë çështje madhore, si kundërshtimi i proteksionizmit, hapja reciproke, forcimi i komunikimit konstruktiv dhe solidariteti e bashkëpunimi për trajtimin e përbashkët të sfidave të ndryshme. Më tej Mattarella theksoi që Italia është e gatshme të bashkëpunojë më ngushtë me Kinën në bashkërendimin shumëpalësh, që të kontribuojnë me mençurinë e qytetërimit italian dhe qytetërimit kinez në nxitjen e paqes dhe qëndrueshmërisë botërore.

Pas bisedimeve, të dy krerët e shtetit dëshmuan nënshkrimin e një numri dokumentesh bashkëpunimi dypalësh në fushat e kulturës, shkencës e teknologjisë, arsimit dhe binjakëzimit të vendeve të trashëgimisë botërore.

Para bisedimeve, Xi Jinping-u zhvilloi një ceremoni mirëseardhjeje për Mattarella-n në Sallën Veriore të Pallatit të Madh të Popullit.

Në ceremoni u bë një përshëndetje me 21 të shtëna në sheshin "Tiananmen" dhe roja e nderit u rreshtua për të nderuar. Të dy krerët e shtetit u ngjitën në tribunën e kalimit në revistë dhe banda ushtarake luajti himnet kombëtare të Kinës dhe Italisë. Mattarella, i shoqëruar nga Xi, kaloi në revistë rojën e nderit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës dhe pa paradën.

Të premten në mbrëmje, presidenti Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan zhvilluan një pritje për presidentin Mattarella dhe të bijën Laura në Sallën e Artë të Pallatit të Madh të Popullit.