Deklarata solemne e MPJ të Kinës mbi kundërshtimin e vendosur të dy ligjeve filipinase mbi detin
2024-11-08 21:27:02

Selia e MPJ-së së Kinës / foto VCG

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Kinës bëri një deklaratë solemne mbi publikimin më 8 nëntor 2024 nga Republika e Filipineve të "Aktit të shpalljes së zonave detare të kontrolluara nga Republika e Filipineve" (shkurt "Akti i zonave detare") dhe "Akti i autorizimit të presidentit për krijimin e rrugëve detare arkipelagore në hapësirën ujore të arkipelagut të Filipineve" (shkurt "Akti i rrugëve detare arkipelagore").

1. "Akti i zonave detare" i Filipineve përfshin ishullin Huangyan dhe pjesën kryesore të ishujve Nansha të Kinës, si edhe hapësirat detare përkatëse, në hapësirën detare të Filipineve, duke u orvatur për ngulitjen e vendimit të paligjshëm të çështjes së arbitrazhit mbi Detin e Kinës Jugore, ndërmjet legjislacionit të brendshëm. Ky veprim shkel seriozisht sovranitetin e Kinës mbi Detin e Kinës Jugore dhe të drejtat e interesat e saj detare dhe pala kineze e dënon dhe e kundërshton kategorikisht atë. Sovraniteti territorial i Kinës dhe të drejtat dhe interesat detare të saj në Detin e Kinës Jugore nuk do të ndikohen në asnjë mënyrë nga shpallja e aktit.

2. Kina ka sovranitetin territorial mbi ishujt Nansha e hapësirën ujore përreth, si edhe mbi ishujt Zhongsha dhe hapësirën ujore përreth, duke përfshirë ishullin Huangyan. Kina ka të drejtat e sovranitetit dhe juridiksion mbi këto hapësira detare. Këto të drejta dhe interesa të Kinës kanë bazë të plotë historike e ligjore dhe përputhen me ligjet ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ligjin Detar.

3. Kufijtë territorialë të Filipineve përcaktohen nga një sërë traktatesh ndërkombëtare, duke përfshirë Traktatin e Paqes ShBA-Spanjë (Traktati i Parisit) të vitit 1898, Traktatin ShBA-Spanjë të vitit 1900 mbi Ndarjen e Ishujve të Jashtëm të Filipineve (Traktati i Uashingtonit) dhe Traktatin e Vitit 1930 mbi Përcaktimin e Kufirit midis Borneos Veriore Britanike dhe Filipineve Amerikane. Ishulli Huangyan dhe ishujt Nansha të Kinës janë jashtë territorit të Filipineve. Pushtimi i paligjshëm nga Filipinet i ishujve Mahuan, Feixin, Zhongye, Nanyao, Beizi e Xiyue, i ishullit ranor Shuanghuang dhe i gumës Siling në ishujt Nansha të Kinës është një shkelje serioze e ligjeve ndërkombëtare, përfshirë Kartën e OKB-së. Filipinet nuk e kanë respektuar premtimin e tyre, duke dërguar luftanije në mënyrë të paligjshme në gumën Renai në ishujt Nansha të Kinës për një kohë të gjatë e duke shkelur sovranitetin territorial të Kinës dhe Deklaratën mbi Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore, veçanërisht nenin 5 të saj, i cili përcakton se palët përkatëse nuk do të ndërmarrin veprimin e bërjes të banuara të ishujve dhe gumave të pabanuara. Pala kineze i kërkon edhe një herë palës filipinase që të heqë menjëherë të gjithë personelin dhe objektet nga ishujt e gumat e përmendura më sipër dhe të tërheqë menjëherë anijen luftarake të paligjshme nga guma Renai. Krijimi nga Filipinet i të ashtuquajturve "Ishuj Kalayaan" përtej kufijve të vet territorialë është një shkelje e sovranitetit territorial të Kinës dhe është i paligjshëm e i pavlefshëm.

4. Nisja e njëanshme nga Filipinet e çështjes së arbitrazhit mbi Detin e Kinës Jugore, pa miratimin nga qeveria kineze, ka shkelur rëndë dispozitat e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin Detar dhe ka minuar seriozisht integritetin dhe autoritetin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin Detar. Vendimi i dhënë nga gjykata e arbitrazhit për çështjen e arbitrazhit të Detit të Kinës Jugore shkel të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin Detar, dhe është i paligjshëm e i pavlefshëm. Kina nuk e pranon dhe nuk merr pjesë në çështjen e arbitrazhit të Detit të Kinës Jugore, nuk pranon apo nuk njeh të ashtuquajturin vendim dhe kundërshton e nuk pranon asnjë propozim apo veprim në bazë të këtij vendimi. Sovraniteti territorial i Kinës dhe të drejtat e interesat e saj detare në Detin e Kinës Jugore nuk ndikohen në asnjë mënyrë nga ky vendim.

5. Nën petkun e zbatimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin Detar, Filipinet po orvaten të promovojnë pretendimet dhe veprimet e tyre të paligjshme në Detin e Kinës Jugore, nëpërmjet të ashtuquajturit "Akti i zonave detare", gjë që është i paligjshëm dhe i pavlefshëm. Ky ligj është një shkelje serioze e Deklaratës mbi Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore dhe do të ndërlikojë në mënyrë të pashmangshme situatën në Detin e Kinës Jugore. Pala kineze do t'i kundërpërgjigjet me vendosmëri çdo shkeljeje dhe provokimi të bërë nga Filipinet mbi bazën e këtij akti.

6. Kina u kërkon Filipineve të respektojnë në mënyrë konkrete sovranitetin territorial të Kinës dhe të drejtat e interesat e saj detare, të ndalojnë menjëherë ndërmarrjen e çdo veprimi të njëanshëm që mund të përshkallëzojë mosmarrëveshjet e të ndërlikojë situatën dhe të mbrojë me të vërtetë paqen dhe qëndrueshmërinë në Detin e Kinës Jugore.

7. "Akti i rrugëve detare arkipelagore" i Filipineve nuk përputhet me ligjet ndërkombëtare dhe rezolutat e Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO) në shumë aspekte. Pala kineze u bën thirrje Filipineve që t'i respektojnë në mënyrë konkrete ligjet ndërkombëtare dhe të mos dëmtojnë të drejtat e ligjshme të të gjitha palëve në bazë të ligjeve ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ligjin Detar.