Foto nga VCG
Një ekspert kinez ka thënë se dy ligje të reja detare të miratuara në Filipine, që synojnë forcimin e kontrollit të anijeve të huaja në ujërat e pretenduara prej Filipineve në Detin e Kinës Jugore, shkelin Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe dispozitat kryesore të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin Detar (UNCLOS), e do të intensifikojnë tensionet rajonale.
"Akti i rrugëve detare arkipelagore të Filipineve" dhe "Akti i zonave detare të Filipineve" që e shoqëron atë, u miratuan nga Kongresi i Filipineve muajin e kaluar dhe u kthyen në ligj pas firmosjes nga presidenti filipinas Ferdinand R. Marcos Jr të premten. "Akti i rrugëve detare arkipelagore" përcakton rrugët specifike detare e ajrore për anijet dhe avionët e huaj brenda ujërave arkipelagore në Detin e Kinës Jugore, ndërsa "Akti i zonave detare" përfshin në zonat detare të Filipineve ishullin Huangyan të Kinës dhe disa guma e ujëra në ishujt Nansha, duke shkelur sovranitetin territorial të Kinës në Detin e Kinës Jugore.
Ding Duo, zëvendësdrejtor dhe bashkëpunëtor shkencor në Qendrën Kërkimore për Ligjin dhe Politikat Oqeanike të Institutit Kombëtar për Studimet e Detit të Kinës Jugore, i tha CGTN-së se "Akti i rrugëve detare arkipelagore" bie ndesh me nenin 53 të UNCLOS-it, i cili thotë se rrugët e tilla detare dhe ajrore duhet të mbulojnë të gjitha kalimet e rregullta për transportin detar dhe fluturimet ndërkombëtare nëpër ujërat dhe hapësirën ajrore të arkipelagut.
"Duke përjashtuar disa nga këto rrugë kyçe, ligji jo vetëm që dëmton të drejtat e vendeve të tjera për të lundruar dhe fluturuar nëpër këto ujëra, por gjithashtu cenon praktikat e vendosura detare," tha Ding. Përveç kësaj, sipas tij, ligji lidh të drejtën e kalimit me mosmarrëveshjet territoriale të Detit të Kinës Jugore duke kufizuar të drejtat e ligjshme të lundrimit të anijeve dhe avionëve të vendeve të tjera, gjë që bie gjithashtu në kundërshtim me UNCLOS-in. (Çang Çuo)