Ministri Gonxhja: Buxheti 2025 për MEKI-n, me 12.5% rritje nga 2024-a
2024-11-08 10:46:07

Projektbuxheti i vitit 2025 për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është rritur me 6.2 miliardë lekë, duke mbështetur sidomos sektorin e kulturës, inovacionit dhe sigurimeve shoqërore, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndërsa raportoi në Komisionin parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, shkruan “ATSH”.

Ministri Gonxhja (Foto Atsh)

Ministri Gonxhja (Foto Atsh)

Ministri Gonxhja theksoi se totali i buxhetit për vitin 2025 është me një rritje prej 12.5%, ose me 6.2 miliardë lekë më shumë se viti 2024.

Një nga ndërhyrjet që është bërë për planifikimin e mirë të buxhetit, sipas tij, ka qenë ulja e ndjeshme prej 18.2% e fondeve për menaxhim dhe administrim, të cilat i kanë kaluar sektorëve jetikë.

Duke u ndalur te kultura, ministri Gonxhja theksoi se ka rritje me 4.2% të tavanit buxhetor për artin dhe kulturën, si dhe me 5.3% të tavanit buxhetor për programin e trashëgimisë kulturore, krahasuar me vitin 2024.

Po ashtu, ministri theksoi se programi kombëtar i granteve është rritur me rreth 20%, krahasuar me vitin 2024.

Gonxhja theksoi se 40% e tavanit të investimeve për gjithë ministrinë shkojnë për programet e kulturës.

Objektivi kryesor, sipas tij, është mbështetja e aktiviteteve artistike dhe kulturore duke u siguruar që të forcohet roli i artit si komponent kyç në forcimin e identitetit kombëtar dhe promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

“Synohet rritja e aksesit në kulturë, mbështetja e artistëve të rinj, zgjerimi dhe përmirësimi i tregjeve kulturore. Me buxhetin 2025 mbështesim shkëmbimin kulturor me diasporën dhe krijimin e urave akoma dhe më lidhëse midis artistëve tanë dhe atyre të diasporës”, tha ministri.

Gonxhja theksoi se këtë vit për herë të parë, përveç javëve kulturore ndërkombëtare do të organizohen edhe ditët kulturore shqiptare në botë, me theks edhe te diplomacia ekonomike.