Foto nga VCG
Trupat izraelite kanë zgjeruar operacionet kundër Hamasit në veri të Rripit të Gazës, njoftuan Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), duke bërë të ditur se ka nisur operacioni kundër infrastrukturës terroriste në zonën e Beit Lahia, shkruan “ATSH”.
Sipas Ushtrisë izraelite, në të njëjtën kohë, trupat e IDF-së vazhdojnë të operojnë në zonën e Jabalias dhe kanë eliminuar rreth 50 terroristë brenda një dite.
Qyteti i Beit Lahia shtrihet në veriun ekstrem të Rripit të Gazës, ndërsa kampi i refugjatëve i Jabalias shtrihet në jug të tij.
Burimet palestineze kanë raportuar vazhdimisht për shumë viktima civile në zonën e shkatërruar dhe situata humanitare përshkruhet si katastrofike.
IDF-ja i ka bërë thirrje popullatës që të evakuojë zonën, por banorët raportojnë se shumë prej tyre po refuzojnë të largohen pasi i shohin pjesët e tjera të Rripit të Gazës si të pasigurta.
IDF-ja bëri të ditur se në jug ishin eliminuar një sërë terroristësh të armatosur dhe kishin shkatërruar infrastrukturën terroriste në zonën rreth Rafah në kufirin me Egjiptin.
Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake në brezin bregdetar pas sulmeve brutale të kryera nga luftëtarët e Hamasit në Izraelin jugor në tetor 2023.