Paola Kodra, “Afroviti” në “Karnavalet e Korçës”
2024-11-08 16:04:07


Paola Kodra (Foto nga Instagrami)

Komedia “Karnavalet e Korçës” me regji nga Erion Isai, rikthehu në skenë pas 17 vitesh aktorin Arben Dervishi në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në vendlindjen e tij Korçë, në rolin e Nikollaqit në krah të aktores së mirënjohur Zamira Kita në rolin e  Olimbisë. Çifti kërkon një dhëndërr për vajzën e tyre 36 vjeçare, Afrovitin, rol i interpretuar nga aktorja Paola Kodra. Në komedi trajtohet bullizmi financiar dhe diferencimi klasor, por  nuk mungojnë serenatat korçare dhe humori tipik. Pas triumfit në edicionin e 11-të të festivalit “Koko Fest” mbajtur në qytetin e Korçës, ku u vlerësua me çmimin e parë si “Shfaqja më e mirë”, “Karnavalet e Korçës” patën sukses dhe shitje biletash rekord edhe në Tiranë, ku artistët u shoqëruan me duartrotkitjet e publikut. Aktorja Paola Kodra që interpretoi rolin e Afrovitit, e bija e Nikollaqit dhe Olimbisë tregon në intervistë për këtë sukses.

Nga shfaqja Karnavalet e Korçës (Foto nga CMG)

CMG: Si u ndjeve nën petkun e Afrovitit, vajzës së Nikollaqit dhe Olimbisë?

Paola Kodra: Jam ndjerë shumë mirë. Ka qenë një punë që i ka treguar frutet e veta çdo natë, duke e patur sallën e teatrit plot. Ka qenë një eksperiencë që besoj se do ta mbaj mend shumë gjatë, për arsye të lumturisë që më ka faluar, jo vetëm të suksesit profesional.

CMG: Si ishte për ty bashkëpunimi me Zamirën dhe Arbenin?

Paola Kodra: Me Zamirën ka qenë e disata herë që punoj, duke qenë se jam pjesë e Teatrit të Korçës prej disa vitesh dhe është fat të punosh me të. Është aktore e hapur, shumë e  dashur, bashkëpunuese, një partnere e mirë siç themi në gjuhën profesionale. Mund të them se gjysma e suksesit  të personazhit tim, erdhi nga marrëdhënia e këndshme me të. Ndërsa me Arbenin, që nga takimi i parë jemi kuptuar shumë mirë me sy, kjo e tregon më tepër edhe në bashkëpunim. Ka qenë shumë komod në punë, si babaxhan i mrekullueshëm. Ky ka qenë dhe rezultati i shfaqjes.

CMG: Kjo komedi është sjellë në shumë variante, po këtë vit me regji nga Erion Isai, që solli triumfin edhe në festivalin "Koko Fest 2024".

Paola Kodra: Është e vërtetë. Festivali “Koko fest” që mbahet në Korçë” prej disa vitesh, është një nga festivalet më të suksesshme. Për shfaqjen tonë ka qenë triumf, por edhe për mua ka qenë triumf, pasi jam vlerësuar si aktorja më e mirë jo protagoniste për të dytin vit rradhazi. Me Erionin njihemi nga universiteti, por ishte hera e parë që kishim një bashkëpunim. Bashkëpunimi ka qenë shumë komod, shumë intuitiv dhe të gjitha mendimet që ne mund të kishim, ai i ka pranuar, i ka përpunuar, në mënyrë që ato të dalin perfekte. Do doja sërish të kisha bashkëpunime të tjera me Erionin sepse vërtetë e vlerësoj.

Paola Kodra  me aktorin Robert Ndenika (Foto nga Instagrami)

CMG: Cilën do të veçoje si pritjen më të mirë, atë të publikut të Tiranës apo atij korçar?

Paola Kodra: Po flasim për dy publikë të ndryshëm. Publiku i Korçës është shumë kritik dhe të arrish të marrësh duartrokitjet gjatë shfaqjes është shumë e vështirë sepse korçarët vijnë me një mendim kritik sapo hyjnë në teatër. Kanë shumë të drejtë sepse jemi në një pozitë, që duhet të japim  më të mirën sepse përgjegjësia është shumë e lartë. Ndërsa publiku i Tiranës është mjaltë, gjithçka mundet ta mirëpresë. Janë shumë të hapur, të dashur, pozitivë, vijnë me mendjen se gjithçka do të shkojë perfekt dhe kjo ndjehet që në batutat e para. Nuk mund të veçoj as njërin e as tjetrin sepse ne si artistë kemi nevojë për të dyja, për kritikën dhe për dashurinë. Për mua është fat që luaj në të dyja skenat.

CMG: A  mund ta konsiderosh rolin e Afrovitit, si roli më i suksesshëm i karrierës tënde artistike deri tani?

Paola Kodra: Deri tani ndoshta po. Kam patur edhe një rol tjetër të Lulushes, tek shfaqja “Pas vdekjes” e Çajupit, me regji të Ervin Çulit, të cilin e kam patur rolin tim të preferuar. Aty kam dhënë maksimumin, por tek Afrovitit besoj se i ka tejkaluar, përderisa po flasim bashkë për këtë.

CMG: Ke studiuar përpara aktrimit edhe për piano. Sa e ndihmojnë njëra- tjetrën dhe a vazhdon të të shoqërojë pianoja ende sot?

Paola Kodra: Është e vërtetë. Në Evropë, një aktor, i cili di edhe një instrument është diçka normale, ndërsa në Shqipëri për kapacitetet që ne kemi po vjen e po përmirësohet. Shumë aktorë i janë drejtuar instrumentit në mënyrë të natyrshme për të zhvilluar një anë tjetër të tyre artistike. Ndërsa për mua ka ndodhur e kundërta, formimi im muzikor ka ardhur që fëmijë dhe nuk mund të ndahej më nga unë. Pavarësisht se unë nuk mund t’i bëj të dyja në mënyrë sistematike dhe të jem e përkushtuar në të dyja, mendoj se muzika është një komponent jashtëzakonisht i rëndësishëm i jetës time, i disiplinës që kam, i veshit muzikor, i intuitës, i dëshirës për të punuar, i mënyrës se si unë i marr përsipër punët apo një projekt. Përkushtimin dhe gjithçka unë ja dedikoj faktit që jam rritur jo vetëm me muzikë, por me disiplinë muzikore.

Patjetër që kjo reflektohet edhe në teatër, sepse teatri në një lloj forme është i gjithi muzikë. Mendoj se jam me fat sepse jam rritur në një familje artdashëse dhe sot këto cilësi mendoj se më veçojnë nga një aktore tjetër. Patjetër që do më shoqërojnë të dyja gjatë gjithë jetës.

Shfaqja Karnavalet e Korçës (Foto per CMG)

CMG: Cili është roli dhe vepra jote e preferuar që do të doje ta sillje në skenë, por dhe krah kujt aktori?

Paola Kodra: Nuk e di sepse jo çdo gjë varet nga aktori. Duhet të kesh përballë edhe një regjisor që të ketë një imagjinatë, apo një intuitë të jashtëzakonshme, që ta çojë një personazh atje ku, me një lexim të një vepre nuk do e çojë dot kurrë. Do të veçoja rolin e Ofelisë tek “Hamleti”, sepse mendoj se do i shkonte shumë parametrave të mia si aktore dhe si vajzë, por nuk më ka rastisur ende.

Ndërsa vjet kam luajtur rolin e Olivias, në “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, që mendoj se ka dalë një rol i veçantë për karrietrën time gjithashtu. Nuk mund të them as për aktorin që do doja ta kisha në krah, sepse më pëlqen shumë e papritura, surpriza dhe nuk i paragjykoj asnjëherë as rolet, as partnerët sepse dikush, diku mundet të shkëlqejë dhe unë nuk e di kur do të ishte produkti. Por patjetër do të doja të luaja një komedi me korçarë. 

Paola Kodra në rolin e Afrovitit në Karnavalet e Korçës (Foto nga Instagrami)

CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?

Paola Kodra: Planet e mia janë të lidhura me teatrin, duke qenë se është i preferuari im, pasi nuk jam shumë e përkushtuar me filmin. Do angazhohem me disa projekte dhe shpresoj që të jenë të suksesshme ashtu si “Karnavalet e Korçës”.

Aktorja Paola Kodra

Aktorja 29 vjeçare Paola Kodra ka filluar të merret me art që në moshën 6 vjeçare, kur nisi studimet në shkollën e muzikës në vendlindjen e saj në Korçë, ku studio deri në moshën 18 vjeçare për piano. Pas një dileme për zgjedhjen e universitetit, me sugjerimin e disa miqve të saj artistë, ajo ndoqi studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë në degën e aktrimit. Pas tri vitesh studimi, realizoi një specializim në  Milano të Italisë. Më pas Paola u kthye në Shqipëri dhe në rolin e parë ajo ka interpretuar me aktorin Robert Ndrenika, një fillim i mbarë për karrierën artistike të saj. Nga muaji maj i vitit 2017 Paola është pjesë e teatrit “Andon Zako Çajupi”. Mes roleve dhe sukseseve të shumta, ajo shkëlqeu me një sukses të jashtëzakonshëm këtë vit jo vetëm në Korçë, por edhe në Tiranë me “Karnavalet e Korçës”, në rolin e  Afrovitit, e bija e Nikollaqit dhe Olimbisë, krah aktorëve të mirënjohur të skenës si Arben Dervishin dhe Zamira Kita. Pas suksesit në festivalin “Koko Fest”, kjo shfaqje pritet që të rivihet në skenë muajin e ardhshëm.

Intervistoi: Sava Lena