Foto nga VCG
Mijëra banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Kaliforninë Jugore, pas përhapjes me shpejtësi të një zjarri, i nxitur nga erërat e forta dhe të thata të quajtura “Santa Ana”, shkruan “ATSH”.
Departamenti i Zjarrfikësve në qarkun Ventura, në veriperëndim të Los Anxhelosit, e cilësoi zjarrin shumë të rrezikshëm.
Sherifi i zonës, Jim Fryhoff, u bëri thirrje banorëve të dëgjojnë urdhrat e evakuimit.
Foto nga VCG
Brenda pak orësh, i ashtuquajturi “Zjarri Malor” pranë qytetit Camarillo ishte përhapur në një sipërfaqe prej më shumë se 40 kilometra katrorë.
Autoritetet paralajmëruan për erëra të forta “Santa Ana”, të cilat shfaqen kryesisht në Kaliforninë Jugore gjatë vjeshtës dhe dimrit.
Erërat e thata intensifikojnë rrezikun e shfaqjes së një zjarri ekstrem. Për më tepër, temperaturat e vazhdueshme të ngjashme me ato të verës dhe bimësia e thatë, e cila ndizet lehtësisht, janë faktorë kontribues.
Foto nga VCG
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka kërkuar ndihmë urgjente nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave për të luftuar flakët.
Në një deklaratë të Departamentit të Zjarrfikësve thuhet se mbi 3500 shtëpi dhe biznese janë në rrezik në rajonin e prekur.
Shkalla e dëmit nuk dihet ende. Sezoni i zjarreve në Kaliforni përfundon në fund të vitit.