“Copernicus”: Viti 2024, më i ngrohti në histori
2024-11-08 10:26:49

Foto nga VCG

Foto nga VCG

2024-a është viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, ka zbuluar programi hapësinor i Bashkimit Europian. Raporti zbuloi se ky ka të ngjarë të jetë viti i parë me më shumë se 1.5 gradë celcius, më i nxehtë se përpara revolucionit industrial, një nivel ngrohjeje që ka alarmuar shkencëtarët, shkruan “RTSH”.

“Kjo shënon një moment historik të ri në të dhënat globale të temperaturës dhe duhet të shërbejë si një katalizator për të rritur ambiciet për konferencën e ardhshme të ndryshimeve klimaterike”,- deklaroi Samantha Burgess, zëvendësdrejtoreshë e Shërbimit të Ndryshimeve Klimaterike “Copernicus”. Shkencëtarët zbuluan se temperaturat globale për 12 muajt e fundit ishin 1.62 gradë më të larta se mesatarja e viteve 1850-1900, kur njerëzimi filloi të digjte vëllime të mëdha qymyri, nafte dhe gazi.

Në buletinin e tyre mujor të klimës, ata thanë se tetori 2024 ishte tetori i dytë më i ngrohtë në rekord, pas tetorit 2023, me temperatura 1.65 gradë më të larta se nivelet paraindustriale.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Udhëheqësit botërorë premtuan të ndalojnë ngrohjen e planetit me 1.5 gradë celsius deri në fund të shekullit, por janë në rrugën e duhur për ta ngrohur atë afërsisht dyfish.

Shkencëtarët thonë se një vit i vetëm mbi pragun nuk do të thotë se ata e kanë humbur objektivin, pasi rritja e temperaturës matet me dekada dhe jo me vite, por paralajmërojnë se do të çojë më shumë njerëz dhe ekosisteme në prag të mbijetesës.

Gjetjet e Copernicus bazohen në miliarda matje të motit nga satelitët dhe stacionet e motit.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se akulli i detit Arktik kishte arritur nivelin e tij të katërt më të ulët mujor për tetorin, me 19% nën mesataren, ndërsa shtrirja e akullit të detit Antarktik arriti në nivelin e dytë më të ulët për tetorin, me 8% nën mesataren.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ata vunë në dukje shirat më të dendur se normalisht që goditën pjesë të mëdha të Europës, përfshirë Spanjën, ku përmbytjet vranë më shumë se 200 njerëz.

Javën e kaluar, Organizata Botërore Meteorologjike zbuloi se përqendrimi i ndotësve që ngrohin planetin e që bllokojnë atmosferën kishte arritur nivele rekord në vitin 2023. Sipas OBM-së, dyoksidi i karbonit po akumulohej më shpejt se në çdo kohë në historinë njerëzore, me përqendrime që ishin rritur me më shumë se 10% në vetëm dy dekada, duke ngrohur planetin dhe duke e bërë motin ekstrem më të dhunshëm.