Spiropali takime në PE: Plani i Rritjes i BE-së, mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë
2024-11-08 10:04:53

Foto nga ATSH

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e shoqëuar nga delegacioni shqiptar, u takua në Bruksel me presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, të cilën e uroi për rizgjedhjen në këtë post dhe shprehu besimin për fuqizimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, për të kontribuuar në përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, shkruan “ATSH”.

Spiropali vlerësoi qasjen pozitive të PE-së dhe presidentes Metsola për Ballkanin Perëndimor, e konkretizuar në vendimin e Byrosë së PE-së të korrikut 2024, për një prani të saj në rajon dhe i paraqiti Presidentes kërkesën që vendndodhja e kësaj prezence të jetë në Tiranë.

“Vokacioni europian dhe perëndimor i Shqipërisë është tashmë një realitet i njohur e pranuar botërisht. Ne e kemi të qartë se anëtarësimi në BE është një proces i bazuar në meritën dhe punojmë çdo ditë për ta merituar këtë. Mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare në 15 tetor dhe çelja e negociatave për grupkapitujt e parë “Themelorët”, ishte një konfirmim i qëndrueshmërisë së arritjeve, por edhe i vullnetit për avancimin me grup-kapitujt e tjerë”,- deklaroi kryeparlamentarja Spiropali.

Sipas saj, Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë, për zhvillimin dhe fuqizimin e ekonomisë, integrimin në ekonominë dhe tregun europian dhe rritjen e mirëqenies.

Spiropali theksoi po ashtu se Kuvendi po punon për hartimin e Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit 2024 për Shqipërinë.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, deklaroi se PE-ja do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë teksa po intensifikon reformat dhe përshpejton përafrimin e legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së.

“Ndërsa hapim rrugën për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor, Parlamenti Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë, teksa po intensifikon reformat dhe përshpejton përafrimin e legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së”,- bëri të ditur Metsola.

Gjatë kësaj vizite, Spiropali shoqërohet nga bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Parlamenti Europian dhe zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Toni Gogu, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi, dhe ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Europian, Ferit Hoxha.