Ministrja Balluku: 33.48 miliardë lekë për infrastrukturën rrugore
2024-11-07 10:53:14

 Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku (Foto ATSH)

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se projektbuxheti i vitit 2025 mbështet sektorët prioritarë të ministrisë, ku përfshihen projekte të rëndësishme rrugore, portuale, hekurudhore, në ujësjellës kanalizime dhe energjetikë, me ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.

E pranishme në Komisionin parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, për shqyrtim në parim të projektligjit të buxhetit, ministrja Balluku theksoi se investimet në veprat strategjike rrugore Korridori 8 dhe Korridori Blu mbajnë peshën më të rëndësishme të financimeve, bën të ditur “ATSH”.

“Me një buxhet 33.48 miliardë lekë për sektorin e transportit rrugor ose 4.1 miliardë më shumë se viti i kaluar, 14% më shumë se në vitin 2023 synojmë realizimin e sërë projektesh infrastrukturore, si rruga e Arbrit, projekti i tretë i bajpasit Orikum-Dukat”,- vuri në dukje Balluku.

“Në projektet prioritare kemi investimin në zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, ngritjen e Qendrës së Monitorimit të Trafikut. Në fokus të strategjisë sonë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore është ndërtimi i autostradave sipas standardeve europiane”,- u shpreh ministja Balluku, teksa shtoi se monitorimi dhe mirëmbajtja janë një aspekt tjetër i rëndësishëm.

Në fokus, sipas saj, janë edhe investimet në vepra rrugore që ndihmojnë zhvillimin e turizmit dhe ekonomitë lokale.