Tregtia e jashtme e Kinës arriti në 36.02 trilionë juanë (rreth 5 trilionë dollarë) në dhjetë muajt e parë të këtij viti, duke shënuar një rritje të qëndrueshme prej 5.2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Administratës së Përgjithshme të Doganave të publikuara të enjten, eksportet kineze arritën në 20.80 trilionë juanë, ndërsa importet 15.22 trilionë juanë, duke u shtuar përkatësisht me 6.7 dhe 3.2 për qind.
Tregtia e Kinës me vendet partnere të nismës "Një brez, një rrugë" njohu një rritje të fortë, duke arritur në 16.94 trilionë juanë, 6.2 për qind më shumë se në dhjetë muajt e parë të vitit 2023. Spikat veçanërisht tregtia me vendet e ASEAN-it, që arriti vlerën e 5.67 trilionë juanëve, duke u shtuar 8.8 për qind e duke përbërë 15.7 për qind të tregtisë së jashtme të Kinës, çka forcon statusin e ASEAN-it si partneri më i madh tregtar i Kinës.
Anije në terminalin e kontejnerëve "Qianwan" në portin e Qingdao-s, në provincën Shandong të Kinës, 5 nëntor 2024. / VCG
Në të njëjtën periudhë, tregtia e Kinës me BE-në, ShBA-në dhe Korenë e Jugut arriti në 4.64, 4.01 dhe 1.91 trilionë juanë, duke u shtuar përkatësisht me 1.2, 4.4 dhe 6.7 për qind.
Liu Daliang, drejtor i Departamentit të Statistikave dhe Analizës në Administratën e Përgjithshme të Doganave, komentoi mbi prirjet pozitive, duke vënë në dukje që norma e rritjes së importeve dhe eksporteve u përshpejtua me gati katër pikë përqindjeje në tetor krahasuar me shtatorin, pas politikave të fundit të qeverisë kineze.
Kjo rritje e qëndrueshme pasqyron përmirësimet si në sasi, ashtu edhe në cilësi, të tregtisë së jashtme të Kinës, duke i bërë objektivat e qeverisë për qëndrueshmërinë dhe forcimin e tregtisë të arritshme deri në fund të vitit, theksoi Liu.