Për të kuptuar të tashmen, fillimisht duhet eksploruar origjina e saj.
Të enjten dhe të premten do të mbahet në Pekin Konferenca e Parë Botërore e Klasikëve. Mbi 400 studiues nga 30 vende dhe rajone të botës, do të mblidhen për t'u angazhuar në një eksplorim ndër-kulturor të mençurisë së lashtë, duke hapur derën për një mirëkuptim më të thellë mes Kinës dhe Perëndimit dhe për lidhje më të ngushta midis qytetërimeve të lashta me botën moderne.
Wu Fei, Profesor i Fakultetit të Filozofisë së Universitetit të Pekinit / foto "chinanews.com.cn"
Çfarë janë klasikët?
Wu Fei, Profesor i Fakultetit të Filozofisë së Universitetit të Pekinit:
Klasikët, si një degë studimi, kanë një përcaktim relativisht të qartë në Perëndim, që do të thotë studimet helenike dhe romake. Por vitet e fundit, qarqet perëndimore të klasikëve paraqesin konceptin e "qytetërimeve të diversifikuara" duke përfshirë në studimet e klasikëve edhe klasikët e lashtë kineze dhe arabe.
Studimet e klasikëve në Kinë ndahen në dy kategori. Njëra është studimet helenike dhe romake dhe tjetra është klasikët dhe librat e filozofëve të periudhës para dinastisë Qin (para 221 para erës sonë).
Klasikët helenikë nuk u përkasin vetëm evropianëve e amerikanëve, ashtu si klasikët kinezë nuk i përkasin vetëm Kinës. Qytetërimet klasike janë trashëgimia e përbashkët e botës moderne. Studimi i klasikëve nuk është thjesht kthim në kohën e lashtë.
François Queyrel, Drejtor i Studimeve të Arkeologjisë Greke pranë Institutit të Studimeve dhe Praktikës së Nivelit të Lartë të Francës, gjatë vizitës në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore/ foto "chinanews.com.cn"
Çfarë përfaqësojnë studimet klasike në kohën moderne?
François Queyrel, Drejtor i Studimeve të Arkeologjisë Greke pranë Institutit të Studimeve dhe Praktikës së Nivelit të Lartë të Francës:
Falë studimeve të dokumentave klasikë, Evropa njohu sërish kulturat helenike dhe romake, gjë që u pasua me Rilindjen e Evropës.
Njohja e së shkuarës është shumë e rëndësishme. Përmes leximit të dokumentave klasikë, mund të njohim në mënyrë të gjithanshme idetë dhe kulturat e bartura në arkitekturën dhe artin e dikurshëm. Mund të thithim ushqim nga qytetërimet e lashta. Mund të reflektojmë siç duhet zhvillimin aktual të shoqërisë dhe mund të diskutojmë për të ardhmen e qytetërimit të njerëzimit.
Të ftuarit e Konferencës së Parë Botërore të Klasikëve vizituan Muzeun Henan në Zhengzhou, kryeqendrën e provincës Henan të Kinës qendrore më 4 nëntor 2024 / foto Xinhua
A na ndihmojnë klasikët për të kuptuar ndikimin e teknologjisë në shoqëri?
Wu Fei, Profesor i Fakultetit të Filozofisë së Universitetit të Pekinit:
Shumë vepra dhe filma fantastiko-shkencorë perëndimorë janë frymëzuar nga mitet perëndimore. Emrat e planeteve kryesore të sistemit diellor vijnë pikërisht nga mitet e grekëve të vjetër, si Venus, Saturn etj. Ndërkohë kinezët e lashtë i emërtuan planetet sipas "pesë elementëve" (Dru, Zjarr, Tokë, Metal dhe Ujë), që rrjedhin gjithashtu nga klasikët kinezë.
Krahas veprave fantastiko-shkencore, edhe shkenca e vërtetë është ndikuar thellësisht nga qytetërimet klasike. P.sh., atomizmi i fizikës ka ardhur nga një shkollë helenike. Ndërkohë shënimet astronomike në klasikun "Libri i Historisë" ushtrojnë ndikime të mëdha në astronominë aktuale.
Sot njerëzit diskutojnë shpesh për çështjet etike, filozofike e kozmologjike të shkaktuara nga inteligjenca artificiale. Në fakt, mençuria klasike mund të luajë një rol të rëndësishëm për të kuptuar shkencës e së ardhmes, sepse ajo na ndërgjegjëson që respekti ndaj natyrës nuk mbetet thjesht te natyra e mjedisit të jashtëm, por duhet të respektojmë edhe natyrën njerëzore dhe jetësore.
Andrzej Niwiński, Profesor Emeritues i Fakultetit të Arkeologjisë të Universitetit të Varshavës, gjatë vizitës në Muzeun Sanxingdui në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore / foto VCG
Çfarë mençurie dhe frymëzimi mund të nxjerrim nga qytetërimet klasike për zgjidhjen e problemeve të botës moderne?
Andrzej Niwiński, Profesor Emeritues i Fakultetit të Arkeologjisë të Universitetit të Varshavës:
Pas konflikteve midis qytetërimeve të ndryshme në shoqërinë moderne, qëndron mungesa e njohjes reciproke dhe veçanërisht e zanafillës së qytetërimeve.
Pavarësisht nga distanca e largët gjeografike midis Lindjes dhe Perëndimit, në periudha të ndryshme dhe vende të ndryshme, dallohen disa fenomene të ngjashme kulturore.
P.sh., Kur pashë disa relikte si shtëpi dhe ara bujqësore qeramike, të nxjerra nga varret e dinastisë Han (202 para erës sonë - 220) në Muzeun e Provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore, më shkoi mendja menjëherë tek faza historike e Egjiptit të lashtë, kur njerëzit merrnin pothuajse të njëjtat sende për pasvdekje. Kjo ngjashmëri në kulturën e funeraleve, pasqyron mendësitë e ngjashme të egjiptianëve të lashtë dhe kinezëve të lashtë, të cilët mendonin se varri ishte vendi i përjetshëm i shpirtit. Zakone të ngjashme gjenden edhe në Evropë.
Nëse vendosim një afat pesëmijëvjeçar, mund të zbulojmë se në pikënisje të kësaj linje kohore dhe në pikëmbërritje të saj, njerëzimi nuk ka ndryshuar shumë. Në momente të veçanta kemi mendime dhe ndjenja të përbashkëta, pavarësisht ku dhe kur jetojmë. P.sh., përpara varreve të të afërmve të ndjerë, kemi të njëjtën lidhje emocionale. Këto rezonanca emocionale dhe kulturore tregojnë se njerëzimi është një tërësi e pandarë.
Georgios Steiris, Profesor filozofie në Universitetin e Athinës të Greqisë / foto "chinanews.com.cn"
Si një studiues evropian, si e konsideroni Konferencën Botërore të Klasikëve, të organizuar bashkërisht nga Kina dhe Greqia?
Georgios Steiris, Profesor filozofie në Universitetin e Athinës të Greqisë:
Konferenca Botërore e Klasikëve pasqyron premtimet e Kinës, në përpjekje për të luajtur një rol në çështjet globale. Teksa studimet klasike në vendet perëndimore po përballen me mungesë fondesh dhe tkurrje të përmasave, Kina po zgjedh një rrugë tjetër; të përkrahë vazhdimisht konceptin dhe kulturën e vlerave.
Grekët e lashtë e vunë theksin tek bota e së ardhmes, ndaj shpresonin të mbaheshin mend nga brezat e ardhshëm. Ky mendim ka formësuar jetën dhe objektivin e saj. Nëse dikush synon që të mbahet mend nga brezat e ardhshëm, ai duhet të paraqesë njohuri dhe virtyte, të cilat nuk do të zbehen me kalimin e kohës. Asnjë qytetërim nuk mund të lulëzojë dhe të mbijetojë vetëm me forcë materiale.
Kina mund të përfitojë nga mësimet e sukseseve dhe humbjeve të qytetërimit perëndimor. Ndërkohë edhe qytetërimi perëndimor mund të favorizohet nga eksplorimi i kulturës kineze, i pasur me mençuri.
Koncepti i trajtimit të qytetërimeve në mënyrë të izoluar, tashmë është i vjetëruar.
I ftuari i Konferencës Botërore të Klasikëve vizitoi Muzeun Arkeologjik Kinez, më 6 nëntor 2024 / foto VCG
Ç'rëndësi kanë shkëmbimet midis qytetërimeve lindore dhe perëndimore në zhvillimin e qytetërimeve të njerëzimit?
François Queyrel, Drejtor i Studimeve Arkeologjike Greke pranë Institutit të Studimeve dhe Praktikës së Nivelit të Lartë të Francës:
Shoqëria njerëzore gjatë procesit të zhvillimit, gjendet përballë shumë krizave të përbashkëta, si ndryshimet klimatike, mungesa e burimeve natyrore, viruset biologjike, etj. Nerëzit krijojnë lidhje gjithnjë e më të ngushta për të përballuar dhe zgjidhur këto kriza. Prandaj, mirëkuptimi dhe respektimi i ndërsjellë, bashkëpunimi miqësor në kornizën e formimit të komuniteteve me të ardhme të përbashkët të njerëzimit, janë çelësi i zhvillimit të qytetërimeve. Shkëmbimet kulturore në mbarë globin, do të jenë në ndihmë të thyerjes së bllokimit dhe krijimit të lidhjeve më të ngushta për mbarë njerëzimin.