Shkodra kryeson turizmin natyror me 26% të totalit të vizitorëve
2024-11-07 10:50:58

Shkoder (Foto Panorama)

Shkoder (Foto Panorama)

Qarku i Shkodrës ka regjistruar shumicën e vizitorëve në zonat e mbrojtura në vend. Statistikat e turizmit tregojnë se në janar-gusht 2024, ky qark u vizitua nga mbi 1 milion persona, që korrespondon me 26 për qind të totalit të vizitorëve në zonat e mbrojtura që për 8 mujorin ishte 3.8 milionë, shkruan “Panorama”.

“Numri i vizitorëve në zonat e mbrojtura për muajin gusht 2024 është 1.344.940 vizitorë të huaj dhe vendas, me një rritje prej 2% krahasuar me muajin gusht 2023. Numrin më të madh të vizitorëve e kanë shënuar zonat e mbrojtura të qarkut Shkodër, ndjekur nga zonat e mbrojtura të qarkut Berat”,- thuhet në përmbledhjen e buletinit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Qarku i Shkodrës përfshin Malësinë e Madhe, Pukën dhe Shkodrën, rajone në të cilat gjenden disa nga pikat më atraktive të turizmit natyror.

Gjatë gushtit, numri më i madh i vizitorëve në parqet kombëtare është shënuar në malin e Tomorit (48% të të gjithë vizitorëve në parqet kombëtare), ndjekur nga Alpet e Shqipërisë.