Sanchez njofton masat pas përmbytjeve, paketë ndihme për viktimat dhe rindërtimin
2024-11-07 14:50:09

foto: RTSH

Një javë pas përmbytjeve historike që shkatërruan provincën e Valencias, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi një paketë masive ndihme për të ndihmuar banorët dhe bizneset e prekura në përpjekjet për rindërtim dhe përshtatje me ndryshimin e klimës.

Sanchez tha se pagesat e sigurimeve pritet të arrijnë një shifër të paprecedentë prej 3.5 miliardë euro dhe se 70 mijë kërkesa janë bërë tashmë, citon “RTSH”. “Spanja gjithmonë i ka ofruar ndihmë Bashkimit Europian kur ka pasur nevojë, por tani Spanja po kërkon ndihmë”, - tha Sanchez, duke njoftuar se vendi ka kërkuar ndihmë nga Fondi i Solidaritetit të BE-së.

“Ndryshimi i klimës vret dhe ne jemi dëshmitarë të kësaj. Ne do të çojmë përpara një transformim për të përshtatur territorin me emergjencën klimatike, e cila fatkeqësisht prek veçanërisht zonën tonë të dashur mesdhetare”,- shtoi ai. 

Të martën e kaluar, stuhi të fuqishme shkaktuan reshje rekord, duke bërë që lumenjtë të dilnin nga shtretërit. Alarmet e urgjencës mbërritën shumë vonë dhe banorët në shumicën e zonave u kapën në befasi.

Deri tani raportohet për 217 viktima dhe autoritetet janë ende duke u dhënë përparësi misioneve të kërkimit dhe shpëtimit.