Ndërtime në Tiranë (Foto Gazeta Telegraf)
Teksa mbledhja e taksës së pronës në Shqipëri mbetet një sfidë, ekspertët e ekonomisë sugjerojnë taksimin real mbi vlerën e pronës, pasi sjell drejtësi. Në një intervistë për mediat eksperti Enio Civici shpjegon modelet si praktikohet në botë mënyra e taksimit për këtë treg.
Për ekspertët e ekonomisë taksimi real mbi vlerën e pronës sjell një drejtësi në taksimin e pronës në vend. Në një intervistë për mediat eksperti Enio Civici shpjegon modelet se si praktikohet në botë mënyra e taksimit për këtë treg.
“Parimisht është sistemi me të cilin funksionon BE dhe bota perëndimore, ai i vlerësimit të taksimit mbi bazë të vlerës së tregut, jo mbi bazë të një dije të caktuar të zonës në të cilën ndodhesh apo historisë së asaj prone. Pastaj ndahen metodat amerikane dhe angleze, metodat e Evropës kontinentale. Për ne, të cilët jemi ende në fazën që po çojmë përpara procedurën e regjistrimit të tokave, që ta krijojmë kadastrën e më pas të taksojmë atë pronë të cilën e kemi regjistruar dhe formalizuar. Ky është një hap që na ndihmon në këtë drejtim dhe unë mund t’i referohem projektligjit konkretisht. Projektligji ka tre mesazhe kryesore që i jep gjithë ekosistemit ekonomik të pronës. I pari është që e ndihmon në një drejtësi në taksimin e pronës. Sot jemi në një fazë në të cilën një pronë si në Tiranë dhe në një qytet tjetër, i cili ka më pak qarkullim dhe vlera është më e ulët, taksohet me një vlerë fikse. Por ndërkohë vlera e pronës nuk është e njëjtë.”
Nuk bëhet fjalë për taksë fikse.
“Me ndryshimin e vlerës së tregut, përveç se shkon vlera e tregut është dhe taksimi në përqindje. Pra nuk është taksë fikse, por është në përqindje dhe kjo e bën më të drejtë. Unë që mund të kem prona më shumë dhe në një zonë më të shtrenjtë, përqindja që më bie mua mund të jetë e barabartë, por në vlerë shumë më të lartë. Kjo e bën një njeri që ka më pak prona të ndihet i taksuar në mënyrë më të drejtë. Ai që ka më shumë dhe që fiton më shumë është një lloj sistemi progresiv i taksimit të pronës, pavarësisht se përqindja mund të jetë e njëjtë. Kjo është nisma e parë. E dyta, çka tregon dhe projektligji është që do të ndihmojë në zhvillimin e rajoneve, e bashkive konkretisht, sepse projektligji parashikon që të ardhurat të shkojnë tek bashkitë.”
Kjo sjell më shumë transparence, sipas ekspertit Civici.
Taksa e pronës(Foto Facebook)
“ Janë bashkitë që komunikojnë drejtpërdrejt me qytetarët në shërbime, infrastrukturë apo në çështje të tjera, që lidhen me qytetin apo zonën rurale ku është Bashkia. E treta, jep një transparencë mbi gjithë këtë çështje, me krijimin e kadastrës fiskale, me krijimin apo realizimin e regjistrimit dhe të formalizimit. Secili nga ne është i përgjegjshëm financiarisht për pronën që gëzon apo që shfrytëzon dhe nuk mundet më që një pronar apo një shfrytëzues apo që ka marrë me qira token, ta paguajë dhe një tjetër që nuk e ka të regjistruar të mos paguajë fare. Pra sjell një lloj transparence, unë që paguaj dua të di që të gjithë ata të tjerët që gëzojnë këtë të mire materiale si puna ime, duhet të paguajnë. Jep drejtësi në sistemin e taksimit, ndihmon pushtetin vendor që qytetarët të marrin shërbime dhe jep transparence dhe efikasitet”- tha Civici.
Në Shqipëri mbledhja e taksës së pronës ka qenë problem.
“Aftësia për ta mbledhur lidhet me kapacitetet e administratës publike që ti ke për të adresuar, por lidhet dhe me identifikimin. Kështu që me bërjen e kadastrës, me realizimin e këtij projektligji mbledhja do mund të ndihmohet në realizim.”- tha Civici.
Eksperti thotë për Tv Scan se metoda amerikane është me anë të një sistemi teknologji algoritëm, i cili ka brenda normën bazë të interesit, inflacionin, pra të gjithë ato elementët që llogarisin dhe del taksa e pronës.
Eksperti Enio Civici (Foto Tvklan Plus)
“Ka brenda nivelin e pagave, qiratë e shtëpive, çmimet e shtëpive, ka aq shumë elementë që pastaj nxjerrin një formulë, një përfundim ku ty të bie taksa. Do s’do ti, duke qenë se sistemi amerikan dhe anglez është i formalizuar, do të bjerë ta paguash. Por nuk lihet llogaritja e taksës tënde në bazë të një historie të pronës tënde, apo të qytetit ku ti ndodhesh. Sepse atje prona duke qenë dhe hapësira më e madhe është thjesht një produkt ekonomik, ndërsa në Evropë prona ka histori, ka kulturë, ka identitet, përfaqëson shumë gjëra dhe llogaritja bëhet në bazë të të gjithë këtyre elementeve. Nuk është thjesht një algoritëm që nxjerr një shifër, por një zonë afër Parisit, pavarësisht se mund të jetë e pabanuar, është më e shtrenjtë se një zonë larg kësaj, pra është vlerësimi në bazë të administratës publike, në bazë të njeriut.”- thotë eksperti.
Me rëndësi është zhvillimi i Kadastrës.
“Në rastin tonë dhe ajo që po bëjmë është që ne duhet të zhvillojmë kadastrën, kapacitetet e administratës publike, që jo vetëm ta identifikojmë dhe formalizojmë, por dhe ta detyrojmë atë që ka pronën, qoftë zonë rurale apo qytet, ta paguajë. Unë besoj se do të ndjekim dhe duke patur dhe pak informacion nga qeveria shqiptare, kjo do jetë metoda jonë, do shtojmë kapacitetet e administratës publike, në mënyrë që secila pronë të vlerësohet në mënyrën më të drejtë të mundshme, jo thjesht si një formulë. Kapacitetet dhe potencialet për t’u zhvilluar, dhe taksimi do vijë aty, pavarësisht se ti mund të mos ndihesh i sigurt për t’u taksuar kaq shumë, por ndërkohë potenciali është. Po marr rastin e bregdetit, e gjithë zona ka për t’u zhvilluar dhe për pasojë të ardhurat do jenë më të larta dhe taksat do jenë më të larta. Kështu që duhet të gjithë ne dhe ata që lexojnë projektligjin duhet të fillojnë të përgatiten për këtë”