Foto nga VCG
Rusia ka hedhur poshtë akuzat e SHBA-së për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane.
“Për sa iu përket pretendimeve për tentativë për ndikim apo ndërhyrje, ne i hedhim poshtë kategorikisht ato”,- tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë ruse të lajmeve “Interfax”, shkruan “ATSH”.
Ai iu përgjigj pretendimeve se Rusia kishte lidhje me kërcënimet me bomba në disa qendra votimi në SHBA.
Duke iu referuar fitores së Donald Trump, Peskov tha se nëse SHBA-ja ishte në favor të përfundimit të konfliktit në Ukrainë, kjo do të bëhej e qartë vetëm pas janarit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në një pozicion për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit”,- tha Peskov, duke shtuar se kjo nuk mund të ndodhë brenda natës.
Trump premtoi gjatë fushatës zgjedhore se do t’i jepte fund në një kohë shumë të shkurtër konfliktit që ka zgjatur më shumë se dy vjet e gjysmë.
“SHBA-ja është shteti që e nxit këtë konflikt, duke i hedhur vazhdimisht benzinë zjarrit dhe duke u përfshirë drejtpërdrejt dhe është në gjendje të ndryshojë drejtimin e politikës së saj të jashtme, nëse dhe si do të ndodhë kjo do ta shihni pas janarit”,- tha Peskov.
Peskov tha gjithashtu se ishte ende e paqartë nëse presidenti rus Vladimir Putin do ta uronte fituesin, pasi Rusia e ka klasifikuar SHBA-në si një shtet jomiqësor.