Foto nga Tpz.al
30 ekspertë shqiptarë u certifikuan me sukses pas pjesëmarrjes së tyre në trajnimin për përballimin e emergjencave civile nga ekspertë italianë të Mbrojtjes Civile, citon “ATSH”.
Në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë, pjesëmarrësit u përshëndetën nga ambasadori italian Fabrizio Buçi, shefi i departamentit të Mbrojtjes Civile Italiane, Fabio Ciciliano, drejtoresha e AICS Tiranë, Stefania Vizzaçaro dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) Haki Çako.
Ambasadori Buçi nënvizoi se ekselenca e sistemit italian të Mbrojtjes Civile, i cili në nivel europian dhe global përbën një model të vërtetë kompetence që mund të eksportohet në vende të tjera, falë projekteve të tilla forcon bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, për një të ardhme edhe më të qëndrueshme dhe të sigurt përballë emergjencave civile.
Drejtori i AKMC-së, Haki Çako, theksoi se bashkëpunimi intensiv dhe domethënës me departamentin italian të Mbrojtjes Civile ka sjellë ndihmë të rëndësishme në tërmetin e nëntorit 2019, pandeminë Covid 19, zjarret e vitit 2024, përmbytjet dhe bllokimet nga dëbora, ndërsa janë nënshkruar dhe përgatitur një sërë marrëveshjesh dhe projekte të financuara për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes civile në Shqipëri.
Falë 19 moduleve të ofruara nga specialistët e Mbrojtjes Civile Italiane u trajtuan çështje teorike dhe operative, duke përfshirë menaxhimin e emergjencave dhe mbështetjen për autoritetet vendore, logjistikën, ushtrimet dhe asistencën social-shëndetësore, menaxhimin dhe organizimin e zonave të pritjes dhe strukturave të përkohshme etj.