Niset nga Xinjiang treni i mallrave për në Azinë Qendrore
2024-11-07 10:25:50

foto nga VCG

foto nga VCG

Një tren i ngarkuar me 45 kontejnerë me pjesë automobilash u nis të mërkurën nga qyteti Wusu në Rajonin Autonom të Xinjiang Ujgur të Kinës veriperëndimore, duke shënuar nisjen e një rruge ndërkombëtare të trenave të mallrave që lidh Xinjiang me qytetin Almaty në Kazakistan, shkruan “Xinhua”.

Stacioni i trenit të mallrave Wusu u caktua në shtator si një pikë nisjeje zyrtare për hekurudhat ekspres Kinë-Europë, një lëvizje që synon të përmirësojë efikasitetin e logjistikës dhe të promovojë tregtinë midis Xinjiang dhe Azisë Qendrore.

Katër trena mallrash do të nisen nga stacioni këtë muaj dhe ata do të kalojnë përmes portit Alataw ose Portit Horgos, dy porte tokësore në Xinjiang në kufirin midis Kinës dhe Kazakistanit, për të shpërndarë mallra në tregjet e Azisë Qendrore dhe ato europiane.

foto nga VCG

foto nga VCG

Rruga e re do të mbështesë eksportin e produkteve bujqësore, industriale dhe mallrave të tjera vendase, duke lehtësuar gjithashtu hyrjen në treg në Xinjiang dhe tregje të tjera kineze, gjë që do të pasurojë zgjedhjen e konsumatorëve. “Operacionet e rrugës së re të mallrave dhe hapja e stacionit hekurudhor Wusu do të zvogëlojë kostot e logjistikës, distancën e transportit dhe kohën për ndërmarrjet”,- deklaroi Zhong Guannan, menaxher shitjesh në një kompani të përpunimit të domateve, me një vëllim eksporti vjetor prej 30.000 tonë.

Sipas “China Railway Urumqi Group Co., Ltd.”, 13.500 trena mallrash Kinë-Europë kaluan nëpër portet hekurudhore të Alataw ose Horgos në 10 muajt e parë të vitit, një rritje vjetore prej 13.4 për qind, me një ngarkesë totale vëllimi prej 23.76 milionë tonë, një rritje vjetore prej 12.3 për qind.

foto nga VCG

foto nga VCG

Zona Pilot e Tregtisë së Lirë të Kinës (Xinjiang) u krijua në nëntor 2023 dhe u bë zona e parë e tregtisë së lirë në rajonet kufitare veriperëndimore të Kinës.

Ndërsa feston përvjetorin e saj të parë, zona ka raportuar rezultate premtuese. Nga janari në gusht, vëllimi i importit dhe eksportit të Xinjiang u rrit me 30.9 për qind në 285.32 miliardë juanë.