Banka qendrore: Kina do të nxitë me vendosmëri hapjen financiare
2024-11-07 18:27:17

foto VCG

Selia e bankës qendrore kineze / foto VCG

Kina do të nxisë me vendosmëri hapjen institucionale të sektorit të shërbimeve financiare e të tregut financiar dhe do të zgjerojë ndërlidhjen midis tregjeve financiare vendase e të huaja, bëri të ditur banka qendrore kineze. 

Kina do të vijojë të ndjekë një politikë monetare mbështetëse, të përmirësojë cilësinë dhe efektshmërinë e shërbimeve financiare dhe të lehtësojë tregtinë, investimet e financimin për të nxitur një rimëkëmbje ekonomike të qëndrueshme dhe zhvillimin financiar me cilësi të lartë, tha Pan Gongsheng, guvernatori i Bankës Popullore të Kinës, në një takim me përfaqësues të institucioneve të huaja financiare.

Duke vënë në dukje se themelet e ekonomisë kineze dhe kushtet e favorshme, të tilla si tregu i gjerë, qëndrueshmëria e fortë ekonomike dhe potenciali i madh, nuk kanë ndryshuar, Pan u shpreh se politikat e fundit shtesë të vendit në sektorin financiar kanë rritur shumë besimin e publikut.

Investitorët e huaj i kanë rritur ndjeshëm shpresat dhe besimin e tyre te tregu kinez pasi Kina shpalli një paketë politikash shtesë në sektorin financiar, thanë përfaqësuesit e institucioneve të huaja financiare në takim, duke përfshirë HSBC, "Standard Chartered Bank" dhe "Citibank". 

Që nga fundi i shtatorit, autoritetet kineze kanë publikuar një paketë politikash më të gjerë sesa pritej, e përqendruar në forcimin e rregullimeve kundërciklike, zgjerimin e kërkesës së brendshme, mbështetjen e biznesit, nxitjen e rimëkëmbjes së tregut të pronave dhe gjallërimin e tregjeve të kapitalit. 

Përveç këtyre politikave në favor të rritjes, politikëbërësit kinezë kanë vazhduar të përmirësojnë lehtësimin e investimeve, të krijojnë një mjedis të favorshëm investimi, të nxisin hapjen financiare të nivelit të lartë ndaj botës së jashtme dhe të përkrahin aktivisht pjesëmarrjen e investitorëve të huaj në tregun kinez të kapitalit.