Xi: Kina dhe Malajzia janë vende miq me synime të përbashkëta
2024-11-07 20:48:28

Presidenti kinez Xi Jinping u takua të enjten në Pekin me kryeministrin malajzian Anwar Ibrahim, që ndodhet për vizitë në Kinë.

Ndër të tjera, Xi vuri në dukje se Malajzia është një treg i ri i rëndësishëm dhe një vend anëtar i rëndësishëm i Jugut Global, që ndan me Kinën interesa të gjera të përbashkëta. Ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës e Malajzisë dhe është "Viti i Miqësisë Kinë-Malajzi". Gjatë 50 vjetëve të fundit, vëllimi i tregtisë dypalëshe është rritur me gati 1 000 herë. "Historia e shkëmbimeve miqësore ndërmjet të dy popujve dëshmon se ne jemi jo vetëm vende fqinj të mirë përtej detit, por edhe miq të mirë me synime të përbashkëta dhe partnerë të mirë për zhvillimin e përbashkët," u shpreh kreu i shtetit i Kinës.

Xi theksoi në vijim se të dyja palët duhet të zhvillojnë një partneritet strategjik të nivelit të lartë, të vazhdojnë të mbajnë shkëmbime të ngushta të nivelit të lartë, të forcojnë shkëmbimet e përvojës në qeverisje, të shtojnë besimin e ndërsjellë politik dhe të mbështesin fuqishëm interesat thelbësore e shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës. Kina është e gatshme të thellojë shkëmbimet e bashkëpunimin me Malajzinë, duke u përpjekur bashkërisht për bashkëjetesën, harmoninë dhe përfshirjen ndërmjet qytetërimeve, duke praktikuar vlerat thelbësore aziatike të paqes, bashkëpunimit, përfshirjes e integrimit dhe duke nxitur zhvillimin e përbashkët të qytetërimit kinez dhe qytetërimit islam nëpërmjet mësimit nga njëri-tjetri.

Xi Jinping-u u shpreh se bota e sotme është kaotike dhe ka hyrë në një periudhë të re turbullirash e ndryshimesh. Si përfaqësuese të rëndësishme të vendeve në zhvillim dhe ekonomive të reja në Azi, Kina e Malajzia duhet të forcojnë komunikimin dhe bashkëpunimin mbi çështjet ndërkombëtare e rajonale, të mbështesin fuqishëm njëra-tjetrën, të kundërshtojnë së bashku proteksionizmin, të nxisin liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve dhe të synojnë një botë të barabartë e të rregullt multipolare dhe një globalizim ekonomik me përfitime për të gjithë. Po ashtu, Kina dhe Malajzia duhet të nxisin reformën e përmirësimin e sistemit të qeverisjes globale dhe të mbrojnë barazinë e drejtësinë ndërkombëtare dhe interesat e përbashkëta të vendeve në zhvillim.

Nga ana e tij, Anwar-i tha se Presidenti Xi Jinping ka paraqitur koncepte të rëndësishme, si ndërtimi i një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit, ka nxitur përfshirjen dhe mësimin e ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve të ndryshme dhe ka shprehur mendime e sugjerime të nivelit të lartë mbi udhëheqjen dhe promovimin e bashkëpunimit "BRICS+", çka pasqyron simpatinë e mençurinë e tij të thellë për përparimin e qytetërimit njerëzor dhe interesat e mirëqenien e popullit, duke përfaqësuar dhe aspiratat e përbashkëta të Jugut Global. Pala malajziane admiron arritjet mbresëlënëse të palës kineze në zbutjen e varfërisë dhe pret të mësojë nga përvoja e Kinës në qeverisje. Malajzia dhe Kina ndajnë të njëjtat pikëpamje e qëndrime për shumë çështje madhore ndërkombëtare dhe rajonale. Malajzia këmbëngul në autonominë strategjike dhe është e gatshme të punojë ngushtë me Kinën për të ruajtur paqen, qëndrueshmërinë, zhvillimin dhe lulëzimin rajonal.