Makinat që presin të ngarkohen në anijet në terminalin e automobilave Nansha në qytetin Guangzhou të provincës Guangdong të Kinës Jugore, më 2 korrik 2024. / VCG
Kina dhe Bashkimi Evropian (BE) po zhvillojnë konsultime intensive mbi detajet specifike të planit mbi angazhimin për çmimin e automjeteve elektrike kineze, bëri të ditur Ministria kineze e Tregtisë.
Zëdhënësja e ministrisë He Yongqian i tha këto në një konferencë shtypi të enjten në përgjigje të një pyetjeje lidhur me vënien e tarifave nga BE-ja ndaj automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë së Kinës He Yongqian / foto "Hongxing News"
He tha se ekipi teknik i BE-së arriti në Pekin më 2 nëntor.
"Të dy palët po zhvillojnë negociata intensive mbi detajet e veçanta lidhur me angazhimin për çmimet, sipas parimeve të pragmatizmit dhe ekuilibrit," theksoi ajo.
Në një videotelefonatë më 25 tetor, ministri kinez i Tregtisë Wang Wentao dhe zv.presidenti ekzekutiv e komisioner i Tregtisë i Komisionit Evropian Valdis Dombrovskis ritheksuan vullnetin e tyre politik për t'i zgjidhur dallimet nëpërmjet dialogut. Ata u shprehën që të dy palët do të vazhdojnë t'i përdorin angazhimet për çmimet si një zgjidhje për çështjen antisubvencion të BE-së ndaj automjeteve elektrike kineze.
Në 29 tetor, BE-ja shpalli vendosjen e tarifave kompensuese përfundimtare deri në 35.3 për qind ndaj automjeteve elektrike nga Kina për pesë vjet, por tha se do të vazhdonte konsultimet me palën kineze mbi angazhimin për çmimet.
Më 4 nëntor, Kina njoftoi se e kishte apeluar në Organizatën Botërore të Tregtisë vendimin përfundimtar të BE-së për masat kompensuese.